Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, ka kritikuar vendimin e Qeverisë për ndarjen e 6.3 milionë eurove për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit.
Ai ka bërë me dije se ky vendim ka ardhur pasi ka dështuar tenderi prej 4.8 milionë eurove për këtë çështje.
Në profilin e tij në “Faceboook”, Mustafa ka shkruar se ky është Amaterizëm dhe abuzim me buxhetin!
“Anulojnë tenderin prej 4.8 milionë euro për libra në emër të kostos së lartë, ndërsa për të njëjtin qëllim, veç se tani në emër të subvencionit, ndajnë 6.3 milionë euro. Këtu ose bëhet fjalë për ndonjë aferë korruptive të dështuar në tentativë, ose thjeshtë dëshirojnë të krijojnë një iluzion të rrejshëm të mbështetjes së qeverisë për qytetarët përmes transfereve direkte të parave – gjë që duket se paraqet të vetmen gjë që kjo qeveri di të bëjë. Amaterizëm dhe abuzim me buxhetin!”, ka shkruar Mustafa.