Tradhtia, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në shumë familje në Kosovë.
Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta.
Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Përlepnicë të Gjilanit dhe është denoncuar të martën në Polici, nga një grua e cila është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka raportuar dhunën fizike që ka ushtruar burri i saj, pasi ajo e ka kapur në flagrancë duke e tradhtuar, me një grua tjetër.
Drama që ndodhi në shtëpinë e tyre, ku viktima e zuri bashkëshortin me të dashurën e tij, eksaloi nga konflikti verbal në dhunë fizike, duke e pësuar kështu gruaja e cila i kërkonte llogari burrit të saj.
Sinjali mëson se për pasojë, gruaja ka pësuar lëndime trupore, për çka është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal për të marrë trajtim mjekësor.
Pas denoncimit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprat me të cilat ngarkohet.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë, inicimin e rastit për veprat “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, si dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.