Çështja e furnizimit të nxënësve me tekstet shkollore këtë vit ka ngjallur reagime të shumta, pas vendimit të MASHTI-t që mjetet për blerjen e teksteve tu barten në llogaritë e prindërve.
Lidhur me gjithë zhurmën e krijuar rreth kësaj situate, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka sqaruar se përse MASHTI mori këtë vendim.
Ajo ka thënë se vendimi është marrë në mënyrë që buxheti i shtetit të mos keqpërdoret.
“Në vend se mbi 10 milionë euro sa pritet të kushtojnë tekstet, t’u barten në llogaritë e 5-6 shtëpive botuese të barten në llogaritë e më shumë se 200 mijë prindërve. Vendimin e kemi marrë në mënyrë që të sigurohemi që buxheti i shtetit të menaxhohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Nagavci.
Ministrja shtoi se nxënësve nga klasa e 1 deri 5 do t’u ndahen nga 80 euro, (50 për tekste dhe 30 për mjetet mësimore), ndërkaq shumën prej 30 eurove do ta marrin edhe nxënësit e klasave 6 deri 9.
Nagavci shtoi se gjatë këtyre dy viteve sa janë në drejtim të MASHTI-t kanë parë që ka pasur sfida të shumta, mundësi për abuzime dhe keqpërdorime.
“Kemi adresuar disa lëndë në Prokurori, kemi pasur raste kur një tekst kushton 17 euro e më shumë. Kemi pasur raste kur i njëjti tekst të së njëjtës klasë, shembull matematika e klasës së dytë ku një tekst ka pas 7.29 euro, 8.10 euro, 9.05 euro dhe 14.00 euro. Ka pasur raste kur një tekst në një vit na është shitur me çmimin 3 euro e vitin tjetër 14 euro”, u shpreh ministrja në “Përballje” në Telegrafi.com.
Më tej ministrja Nagavci bëri të ditur se do të kujdesen që ekzekutimi i parave në llogaritë e prindërve të bëhet para datës 1 shtator.
“Deri më tani kemi më shumë se 80 mijë aplikime i kemi marrë listat me të gjitha dhënat e aplikuesve nga ASHI-ja dhe besoj që gjatë ditës do ti përcjellim të gjitha në Ministrinë e Financave në mënyrë që të sigurohemi që ekzekutimi i mjeteve të bëhet para datës 1 shtator”, tha ajo.
E para e MASHTI-t pati edhe një apel për prindërit që të mos nxitohen me blerjen e teksteve shkollore pa pranuar listën e tyre na ana e mësimdhënësve ose shkollave.
“Secili prej prindërve duhet të marrë listën me tekste që duhet të përdoren nga ana e shkollave dhe mësimdhënësve. Ne kemi dërguar në drejtoritë komunale të arsimit një qarkore që kemi kërkuar që lista e teksteve të miratuara të bëhet publike në vendet e dukshme të shkollës, dhe mësimdhënësit ti ndajnë informatat me prindërit”, tha Nagavci.