Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka shkruar një status fort kritikues për Qeverinë Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Fillimisht, Halimi ka shkruar për paralajmërimin e presidentit francez, Emanuel Macron për vizat, më pas mënyrën e komplikuar të MASHT-it për t’i shpërndarë librat shkollor.
Ajo ka përmendur edhe rastin ku disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje morën meritat për rritjen ekonomike në vend, duke u bazuar në një artikull të “The Economist”, ku në fakt askund nuk përmendej Qeveria Kurti.
“Presidenti Francez Emanuel Macron vë në pikëpyetje liberalizimin e vizave për Kosovën dhe pasoja ekonomike për Serbinë, nëse dy shtetet nuk lëvizin drejt normalizimit. Prindërit janë në ankth me konfuzitetin e shkaktuar me tekstet shkollore e koston e lartë të përditshmërisë së tyre. Në The Economist faqen e paguar me taksat e qytetarëve, deputetët e partisë në pushtet e shesin si lëvdatë të prestigjiozes londineze, për kinse “boom-in” ekonomik të vendit duke akuzuar mediat. Skandalet e njëpasnjëshme nuk e trembin”, ka shkruar Halimi.
Tutje, ajo ka shkruar për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
“Qeverinë arrogante që merret me të shkuarën si zëvendësim për progresin sot. Qeveria e Kosovës mburret derisa i ka sjellë vendit ndëshkim e izolim.
Partia në pushtet në dëlir të propagandës për të shtrembëruar realitetin, ka krijuar një version të tipit tik tokian të qeverisjes”, ka shkruar ajo.