Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka dhënë disa detaje për takimin që do të mbahet nesër, pas vendimit të fundit të Ministrisë së Arsimit, ku librat e nxënësve do të blihen nga prindërit, pastaj subvencionimi bëhet nga Qeveria.
Jashari në një prononcim për GazetaBlic thekson se, nesër në takim do të jenë kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve.
“Takimi që do të mbahet nëser është i rregullt, sepse çdo herë bëjmë analiza para vitit të ri shkollor. Nesër në takim do të jenë kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve, pra këta janë përfaqsuesit e tërë sistemit arsimor”, tha Jasharaj.
Jasharaj thotë se pas këtij takimi do të merret një përfundim sa i përket angazhimeve sindikale në lidhje me çështjen e librave.
“Ata do të raportojnë për situatën që e kemi nëpër shkolla të komunave të Kosovës. Do të diskutohet edhe çfarë mendojnë punëtorët e arsimit rreth situatës së re të arsimit, do të nxjerrim përfundime dhe do të vendosim se çfarë do të bëhet tani e tutje në angazhime sindikale”, tha ai.
Jasharaj shton se grevë në arsim nuk do të ketë, por sipas tij viti i ri shkollor do të fillojë më shumë vështirësi.
“Grevë nuk do të ketë, sepse në komunikimin që e kemi bërë me kryetarët për takimin e nesërm nuk është përmend se në ndonjë komunë është ngritur kjo çështje, por nesër do t’i marrim parasysh të gjitha opinionet. Viti i ri shkollor do të fillojë, por me shumë vështirësi ku do të kemi mungesë edhe të mjeteve shkollore”, tha Jasharaj. /EO/