Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, të premten ka takuar të dërguarin special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po qëndron për vizitë dy-ditore në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka bërë të ditur se ndër temat kryesore të diskutimit me Escobar ishin ndryshimet kushtetuese në Maqedoni të Veriut si dhe zhvillimet në Kosovë, me theks te ujdia e Ohrit.
“Z. Eskobar shprehu mbështetje të plotë për integrimin europian të vendit i cili realizohet nëpërmjet të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa unë theksova gatishmërinë tonë të plotë për ti prirë këtij procesi”.
“Kosova ishte shqetësim i përbashkët i joni, me ç’rast të dy vlerësuam që Marrëveshja e Ohrit midis Kosovës dhe Serbisë është historike dhe duhet të zbatohet pa asnjë vonesë”.
Tutje, kreu i BDI-së tha se ShBA-të janë miq të të gjithë shqiptarëve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku më i vyer dhe i çmuar jo vetëm i Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarëve dhe tërë rajonit, por shqiptarët në veçanti janë mirënjohës për rolin dhe kontributin amerikan për liri, paqe dhe demokraci dhe ky vlerësim i të gjithë neve nuk lëkundët dot”.