Kuvendi Komunal i Graçanicës ka vendosur t’ua falë deri 100 euro tatim të gjithë banorëve të kësaj komune.
Kjo është bërë e ditur nga nënkryetari i Komunës, Leutrim Ajeti, i cili ka thënë se vendimi në Kuvendin Komunal është marrë me shumicë votash.
“Kuvendi Komunal sot me shumicë votash ka miratuar vendimin për faljen e tatimit në pronë në përputhje me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”, ka njoftuar Ajeti.
Ndërkohë, sot, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme si dhe ka kërkuar masën e sigurisë.
Ndaj kësaj ka reaguar Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke e quajtur të kotë dërgimin e Ligjit në Kushtetuese për faktin se i njëjti ligj tashmë është në fuqi derisa komunat kanë kohë deri më 15 shator të vendosin nëse do t’ua falin ose jo deri 100 euro tatim qytetarëve.