“Pa shpalljen e zgjedhjeve në veri s’do të ketë heqje të masave nga BE-ja”

Po bëhen dy muaj që kur BE-ja ndërmori masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe ende nuk ka heqje të tyre, pavarësisht nga hapat e Kosovës për shtensionim të gjendjes me zvogëlimin e pranisë policore në dhe rreth objekteve komunale.

Qeveria e Kosovës po kërkon me ngulm heqjen e masave derisa BE-ja ka kërkuar që sa më parë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.

Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu i tha RTV21 se Kosova po respekton dakordimin me BE-në për shtensionim të gjendjes dhe dhe masat e saj janë të padrejta.

“Janë bërë mbi dy muaj prej kur është shënuar incidenti i fundit i dhunshëm. Teksa janë ndërmarrë hapat e parë që do të mundësojnë zgjedhjet e parakohshme. Pra ka edhe përmirësim të situatës por edhe hapa drejt zgjedhjeve të parakohshëm. Megjithëse ne mbesim vigjilent për rieskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror nga Serbia.

Prandaj edhe qëndrimi ynë vazhdon të jetë që masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe vazhdojnë të mbesim të atilla, sidomos pas progresit në zbatimin e marrëveshjes së Bratislavës por edhe pas përmirësimit të situatës në terren.

Deputeti i PDK-së Rashit Qalaj nuk pret që të ketë heqje të masave një herë për një herë. Sipas tij, cështja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit po zvarritet nga Qeveria.

Se aktualisht nuk do të ketë heqje të masave ndëshkuese e thotë edhe politologu, Fidan Ukaj. Sipas tij, BE-ja po pret një datë për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri për t’i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur hartimin e Udhëzimit Administrativ që mundëson nisjen e procedurave për largimin e kryetarëve përmes një peticioni. Por të dy bashkëbiseduesit vlerësojnë se largimi i kryetarëve përmes peticionit nuk është zgjidhje e duhur.

Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës përfshijnë pezullimin e punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, që Kosova nuk do të ftohet në takime të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të përqendruara në adresimin e krizës në veri të Kosovës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programi IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje dhe propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim në bord në fund të qershorit.