Qeveria gjermane i dha sot dritën jeshile planeve për t’i lehtësuar emigrantëve rrugën drejt marrjes së nënshtetësisë, si dhe për të lejuar më shumë njerëz që të kenë nënshtetësi të dyfishtë.
Aktualisht, natyralizmi në Gjermani është i mundur pas 8 vjetësh, por me rregullat e reja, të cilat ende duhet të miratohen nga parlamenti, kjo kornizë kohore shkurtohet në pesë vjet. Ndërkohë, personat e integruar mirë në shoqërinë vendase dhe që kanë njohuri mjaft të kënaqshme të gjuhës gjermane, do ta marrin pasaportën e këtij vendi pas vetëm tre vjetësh.
Qytetarët e rinj potencial do të duhet të tregojnë se nuk janë të varur nga ndihmat sociale të shtetit, megjithëse do të ketë përjashtime nga ky kusht. Projektligji do t’ua hapë gjithashtu derën më shumë njerëzve që të mbajnë nënshtetësi të dyfishtë, përfshirë ata nga komuniteti i madh turk i Gjermanisë.
Rruga drejt shtetësisë ka mbetur e vështirë për shumë emigrantë nga Turqia dhe vende të tjera që vërshuan në shtetin e fuqishëm europian si të ashtuquajtur “punëtorë mysafirë” gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.
E drejta për nënshtetësi të dyfishtë në përgjithësi është aktualisht e kufizuar për qytetarët e BE-së dhe zviceranëve, megjithëse janë bërë disa përjashtime. Rishikimi i legjislacionit ishte një premtim kryesor i bërë nga qeveria e koalicionit të udhëhequr nga qendra e majtë e kancelarit Olaf Scholz kur erdhi në pushtet në fund të vitit 2021.