Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, është shprehur i bindur se prapa përgjimeve të publikuara ku janë të përfshirë Mimoza Kusari-Lila e Slavko Simiq, është Partia Demokratike e Kosovës.
Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë qëllim apo interes që përmes këtij komunikimi të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së me Listën Serbe të bëhet i mundur ndonjë vendim.
“Edhe ky është rast eklatant në funksion të skenarëve që i prodhon veçmas PDK-ja. Jam i bindur se PDK-ja e ka porositur, planifikuar, pastaj e ka urdhëruar publikimin. Jam i bindur se është planifikim laboratorik. Asnjë vendim nuk është varë prej Listës Serbe deri tash dhe nuk do të varet. Janë përpjekje artificiale, nuk bëhet opozita kështu”, ka theksuar ai, shkruan Koha.
Sipas Rrustemit, opozita po fabrikon situata që ta vë Vetëvendosjen në pozitë të keqe.
“Ka një tendencë, ata (opozita) nuk duan ta distancojnë veten nga e kaluara, por duan me çdo kusht t’i japin VV-së elemente që nuk i ka. Ata e kanë të rëndësishme që VV-në me paraqitë si të sforcuar dhe të korruptuar. Fabrikojnë situata të tilla. Ne nuk mund të rrimë gati për ti konfirmuar shpifjet e tyre. Asnjë argument, asnjë fakt. Nuk ka asnjë fakt për Martin Berishajn, as për Krasniqi, as për Rozeta Hajdarin”.