“Do ta shohim ditëve në vijim”: Ende nuk dihet rruga për largimin e kryetarëve në veri

Vera po kalon, por ende nuk duhet mënyra e largimit të katër kryetarëve të komunave veriore, veprim ky që do të çonte në hapjen e rrugës për zgjedhjet e reja në veri.

Qeveria e Kosovës është e vendosur që të vazhdohet me skenarin e shkarkimit të kryetarëve me anë të një peticioni, ndonëse kjo rrugë nuk po pëlqehet nga BE-ja, opozita dhe shoqëria civile.

Megjithatë, askush prej përfaqësuesve institucionalë nuk është në gjendje të thotë se kur do të bahet zgjedhjet e reja në atë pjesë të vendit.

Në këtë pyetje të gjithë kanë një përgjigje: do ta shohim ditëve në vijim.

Kështu u përgjigje një ditë më parë edhe Ministrit i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Është një proces i cili do të determinohet ditëve në vijim. Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra. Kjo nuk është për veriun, kjo mund të aplikohet nesër edhe për kryetarin e Gjakovës dhe cilindo kryetar të Kosovës, kështu që në këtë moment nuk dua të diskutojë më shumë rreth produktit, sepse në fund të muajit do të kemi një produkt nga grupi punues“, ka thënë Krasniqi për Kosovapress.

Sipas tij, udhëzimit administrativ që mundëson peticion për largimin e kryetarëve të komunave do të jetë gati në fund të muajit.

Deri tash gjithçka është në rregull, grupi punues ka pasur dy takime. Dhe unë nuk mund të diskutoj mbi një udhëzim administrativ të cilin ende nuk e kemi për konsultim publik dhe unë ende nuk mund të jap asnjë detaj shtesë“, është shprehur Krasniqi.

Edhe presidentja gjatë javës se kaluar ka dhënë përgjigje të njëjtë.

Është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket akteve nënligjore dhe atyre të ministrisë dhe KQZ-së që i përcaktojnë afatet dhe çështjet teknike procedurale lidhur me zbatimin e nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”, kishte thënë Osmani, duke shtuar se kjo rrugë nuk do të këtë ndonjë problem.

“Kjo është bazuar edhe në praktikat e mëparshme kur të drejtat që tashmë parashihen me ligj dhe rregullohen me ligj kur duhet të zbatohen ato të drejta çështje procedurale parashihen me akte nënligjore”, ka thënë shefja e shtetit.

As kryetari i KQZ, Kreshnik Radonqi, nuk është në dijeni se si do të veprohet.

“Janë tu i mbajt takimet derisa të marrim një përfundim të atij komisionit, nuk kemi çka me deklarua”, ka thënë ai në mbledhjen e fundit të KQZ-së, e cila është mbajtur javën e kaluar.

Edhe në insistimin e gazetarëve se çka do të bëhet pas hartimin të udhëzimit administrativ.

“Do ta shohim ditëve në vijim, se çka do të veprojmë”, është shprehur.

BE-ja kërkon dorëheqjen e kryetarëve

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, qysh në krye të herës, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës se rruga më e mirë është dorëheqja e kryetarëve të katër komunave.

Sipas tij, kjo rrugë do të çonte më shpejt deri në mbajtjen e zgjedhjeve.

“Është mënyra më e shpejtë dhe më e lehta, përmes dorëheqjes së kryetarëve”, kishte thënë Borrell.

Kurse, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Kosovës i takon se cilën rrugë do ta zgjedh për largimin e kryetarëve.

Pyetja se si do të mbahen zgjedhjet në veri është pyetje e brendshme për Kosovën. Se a bëhet kjo bëhet përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave, ose nëse bëhet përmes një procesi ku votuesit votojnë për t’i larguar kryetarët aktualë [peticioni]…ne jemi të interesuar vetëm të shohim procesin qe po ecën para”, kishte thënë ambasadori amerikan gjatë një takimi me gazetarë.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë me dije se alternativa më e mirë për hapjen e rrugës për zgjedhje të reja është dorëheqja e kryetarëve.

Me qëllim që t’i hapet rrugë shtensionimit të plotë, KDI vlerëson që kryetarët aktualë të komunave duhet të shqyrtojnë dorëheqjet nga pozitat e tyre, për t’u mundësuar qytetarëve zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim. Dorëheqjet po ashtu mundësojnë një proces të ri zgjedhor në afate më të afërta kohore, pa vonesa procedurale dhe kosto të dyfishtë”, është thënë në komunikatën e KDI-së.

Ky institut ka bërë me dije paraprakisht edhe komuniteti serb do të duhej të zotohej për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Njëkohësisht, KDI u bën thirrje të gjithë qytetarëve të katër komunave veriore, në veçanti atyre nga radhët e komunitetit serb, si dhe subjekteve politike që përfaqësojnë interesat e tyre, që të zotohen se do të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim që dorëheqjet e kryetarëve të mos sjellin një proces të ri por me rezultat të njëjtë”, ka vlerësuar KDI.

Iniciativa e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ, sipas KDI-në, nuk është e mjaftueshme.

KDI rikujton që legjislacioni ekzistues sekondar nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e procedurës për largimin e kryetarëve, meqë nuk janë të përcaktuara afatet procedurale, mënyra e verifikimit të vlefshmërisë së kërkesës për largim, e as modalitetet për zhvillimin e votimit. As iniciativa e MAPL-së për hartimin e një udhëzimi administrativ nuk është e mjaftueshme, meqenëse nevojitet edhe hartimi i akteve nga ana e KQZ-së – si bartëse e procesit të votimit. Megjithatë, legjislacioni sekondar nuk mund të tejkalojë përcaktimet ligjore të parapara me ligjin në fuqi”, ka vlerësuar instituti.

Edhe partitë politike opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që rruga me e mirë për Kosovën është dorëheqja e kryetarëve aktual.

Javë me parë, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim për caktimin e një Grupi Punues që do të hartonte Udhëzimin Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largonte kryetarët e komunave në veri të vendit.

Në dokumentin e nënshkruar nga ana e ministrit Elbert Krasniqi ky grup e ka zgjedhur kryesues z. Besim Myrtezani, ndërsa si anëtarë Xhevat Tavën, Fetije Begollin e Flurim Arifin.

Grupi do ta ketë përgjegjësinë për “hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.”

Afati që i është dhënë është deri më 1 shtator. Deri me tani ky grup ka mbajtur disa takime./Nacionale