Kompania “Pestova” që merret me prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e patates është themeluar në vitin 1991.
Pronari i saj, Bedri Kasumi, thotë se fillimisht kompania nisi punën si biznes i vogël familjar, ndërkaq sot ajo punëson rreth 250 punëtorë të rregullt dhe shumë të tjerë sezonalë.
Zoti Kasumi tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se çdo vit kompania e tij ka shënuar rritje prej 20 deri në 30 për qind, por zgjerimi i saj po sfidohet vazhdimisht nga vështirësitë për gjetjen e punëtorëve.
“Një kompani për të qenë e suksesshme duhet të ketë staf të trajnuar që e njohin mirë punën. Ky është problem që ka ekzistuar qysh më herët por po vjen përditë duke u theksuar më shumë. Ne kemi studentë të shkëlqyeshëm në teori mirëpo në praktikë janë mbrapa shumë dhe tërë stafi që menaxhon këtë kompani në njëfarë mënyre kalon nëpër trajnime të ndryshme përbrenda dhe tek atëherë janë të zot për të marrë përgjegjësinë e punës që i caktohet”, tha zoti Kasumi.
Vështirësitë janë më të mëdha për gjetjen e punëtorëve sezonalë thotë ai, posaçërisht në fazën e mbjelljes, ujitjes dhe grumbullimit të patates.
“Edhe pse kanë një pagë jashtëzakonisht të mirë, minimum 900 euro dhe dy shujta ditore, nuk kemi punëtorë sezonalë kështu që po përballemi me një mungesë shumë të madhe me një problem goxha të madh që po vjen duke u rritur”, thotë ai.
Skender Krasniqi kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, thotë se bizneset e regjistruara në këtë institucion, posaçërisht ato që lidhen me ndërtimtarinë, bujqësinë dhe hotelerinë, çdo herë e më shumë po paraqesin ankesa për mungesë të punëtorëve.
“Po ka shumë, madje jo që ka raste por tash është në trend mundësia që të marrin punëtorë nga jashtë dhe ka filluar ardhja e punëtorëve nga Pakistani, Bangladeshi, Turqia dhe vendet tjera në mënyrë që të sigurohet biznesi”, thotë ai.
Kjo situatë vlerësohet si paradoksale nga njohës të fushës duke qenë se shkalla e papunësisë në Kosovë është shumë e lartë.
Zoti Krasniqi thotë se kjo gjendje është pasojë e mungesës së bashkërendimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të biznesit për të drejtuar arsimimin e të rinjve sipas kërkesës së tregut.
“Mungesa e bashkërendimit ndërmjet institucioneve dhe bizneseve qe disa vite, më saktë që nga paslufta e ka sjellë këtë gjendje jo të mirë ku ka pakënaqësi të dyanshme, në njërën anë të punëtorëve e në anën tjetër të bizneseve sepse po detyrohen të marrin edhe punëtorë të pakualifikuar, t’i kualifikojnë dhe pastaj ka rrezik edhe nga ikja e tyre”, thotë ai.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat në Kosovë, i tha Zërit të Amerikës se sipas të dhënave të sindikatës, mbi 80 për qind e kompanive në vend përballen me mungesë të punëtorëve, një dukuri që ai e vlerëson shumë shqetësuese.
“Përpos pagës, përpos kushteve e përpos mungesës së zbatimit të ligjit të punës dhe marrëveshjes kolektive është edhe çështja e sigurisë në punë. Ne fatkeqësisht prijmë në Evropë me numrin e rasteve të vdekjeve në vendin e punës dhe ne si shoqëri nuk kemi bërë asgjë për këto raste dhe njerëzit tashmë kanë pritur për një periudhë goxha të gjatë. Mund të jetë e arsyeshme pritja rreth dhjetë pas luftës por tash jemi më shumë se 24 vite pas dhe nuk ka përmirësime”, thotë ai.
Zoti Krasniqi thotë se vështirësitë për të gjetur punë dhe mangësitë në kushtet e punës, po nxisin ikjen e të rinjve jashtë vendit.
“Paga për shembull prej 400 apo 500 eurosh është e pamjaftueshme për një familje katër apo pesë anëtarëshe dhe këtu shteti duhet të ndërhyjë në mënyrë që ta mbrojë familjen. Gjithashtu shteti duhet ta mbrojë edhe punëtorin, në rast që një punëtor ka mbi 20 vjet që është i punësuar dhe për një moment mbetet pa punë shteti nuk kujdeset për të që së paku gjashtë muaj ose një vit t’i japë 50 apo 80 për qind të pagës në mënyrë që ta mbrojë”,thotë ai.
Zoti Azemi thotë se që nga viti 2014 e deri në fund të vitit 2022, 287 mijë e 328 punëtorë kanë ikur nga Kosova.
“Në vitin 2018 kanë ikur 28 mijë e 164 punëtorë, në vitin 2019 34 mijë e 913, në vitin 2020 kemi tetë mijë e 724 për shkak të pandemisë, për vitin 2021 kemi 42 mijë e 673 punëtorë dhe në vitin 2022 kemi mbi 60 mijë të ikur nga Kosova”, thotë zoti Azemi.
Ai shpreh shqetësimin se nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga shteti për të përmirësuar situatën aktuale, do të rrezikohet funksionaliteti i shumë institucioneve për shkak të mungesës së punëtorëve.
“Shqetësimi më i madh i joni lidhet me mirëmbajtjen dhe sigurimin e spitaleve në nivel të Kosovës që e kryejnë kompanitë private dhe nëse vazhdohet kështu e me këto paga që i kanë 270 – 280 euro, kam frikë se pas një viti apo një viti e gjysmë në sallat e operacioneve ndoshta mjekët mund të jenë shumë të gatshëm por nuk janë ata të cilët e pastrojnë, e mirëmbajnë dhe e bëjnë të gatshme sallën për operacion”, thotë ai.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se që në fillim të mandatit qeveria ka nisur përpjekjet për të zbutur hendekun ndërmjet kërkesës së tregut të punës dhe përgatitjes së fuqisë punëtore, të cilat thotë ai kanë munguar për një kohë të gjatë.
Vitin e kaluar qeveria e Kosovës hapi disa degë për aftësim profesional të të rinjve në kuadër të shkollave të mesme në vend.
“Sivjet për shkak të suksesit kemi vendosur ta zgjerojmë gamën e arsimit dual në gjithsej 12 profile nga katër sa ishin, në 23 komuna nga tre sa ishin dhe në 12 shkolla nga katër sa ishin vitin e kaluar, ku planifikohet që të përfitojnë rreth 800 nxënës. Ajo që ne po synojmë të bëjmë nëpërmjet kësaj është që në njërën anë t’i përgjigjemi kërkesave të tregut për fuqi punëtore dhe në anën tjetër gjithashtu të përgatisim fuqinë e re punëtore që të jetë e gatshme dhe efektive në punë prej momentit të angazhimit”, thotë ai.
Zoti Kryeziu thotë se qeveria po bën përpjekje edhe për punësimin e të rinjëve, duke nënvizuar hapjen e platformës ‘superpuna’ para më shumë se gjashtë muajsh.
“Falë kësaj platforme ne i kemi pesë mijë të rinj të cilët janë të angazhuar tashmë në punë të ndryshme gjithmonë në sektorin privat, kjo është arritur nëpërmjet kësaj platforme por edhe nëpërmjet mbështetjes apo subvencioneve që qeveria i jep në periudhën gjashtë mujore të angazhimit fillestar të tyre”, thotë ai.
Ndërsa mungesa e punëtorëve të përgatitur mirë vazhdon të mbetet sfidë për ndërmarrjet e vendit, në Kosovë papunësia vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha. Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës të dhënat për vitin 2022 nuk janë të plota, ndërkaq në vitin 2021 shkalla e papunësisë arriti në mbi 24 për qind./VOA