Caktohet seanca e apelit në rastin kundër Salih Mustafës

Paneli i Gjykatës së Apelit e ka caktuar seancën në çështjen ndaj Salih Mustafës, për datat 26 dhe 27 tetor të këtij viti.

Kjo është bërë e ditur përmes një urdhri të publikuar në faqen e Gjykatës Speciale.

Sipas njoftimit, gjykimi do të mbahet nga ora 13:30 deri në 17:10 me datën 26 tetor, ndërsa nga 09:30 deri në 11:05 një ditë më vonë.

Në muajin shkurt, mbrojtja e Salih Mustafës kishte bërë të ditur dorëzimin e nëntë shkaqeve të apelimit, pas dënimit me 26 vjet burgim i cili ju shqiptua në dhjetor të vitit të kaluar.

Prokuroria pretendon se Mustafa ka kryer krime lufte dhe akuzat që rëndojnë mbi të janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje e paligjshme, ndërsa ai është shpallur fajtor për pikën 1, 3 dhe 4.

Gjykimi ndaj Mustafës kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe janë mbajtur seanca në 52 ditë.

Janë tetë persona që janë pranuar si viktima dhe që kanë marrë pjesë në këtë proces gjyqësor, ndërsa janë dëgjuar 13 dëshmitarë të ZPS-së dhe 15 të mbrojtjes.

Shumë nga dëshmitarët e prokurorisë kanë qenë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun, shkruan KP, transmeton Klankosova.tv.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”