Zyrtarët policorë shpeshherë janë cak i kërcënimeve serioze qoftë kur janë jashtë apo edhe gjatë detyrës zyrtare. Jo rrallëherë kanosjet verbale eskalojnë, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Graçanicë, ku dy zyrtarë policorë janë kërcënuar.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari, I.B., 33-vjeçar, fillimisht është ndaluar nga Policia për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, derisa ishte nën ndikimin e alkoolit.
Sinjali mëson se i njëjti më pas është shoqëruar në stacion policor, ku ka vazhduar me sjellje agresive e madje edhe me kërcënime ndaj zyrtarëve policorë, që po e trajtonin rastin.
Të njëjtat burime thonë se i njëjti i ka kanosur seriozisht policët, duke i paralajmëruar se do t’i qërojë hesapet me ta, posa të jenë pa uniforma.
Përballë kësaj situate, Policia është detyruar ta vë situatën nën kontroll, me ç’rast i dyshuari është ndaluar dhe më pas është marrë në pyetje.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të iniciohet rasti për kanosje dhe të dorëzohet kallëzimi penal brenda afatit ligjor.