Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca fillestare ndaj të akuzuarve Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, të cilët ngarkohen për sulm ndaj gazetarit Valon Syla, ku të njëjtit nuk u ngritën në këmbë gjatë leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.
Të akuzuarit kur u pyetën se përse nuk u ngritën në këmbë kur ua kërkoi gjykatësja Violeta Namani, thanë që është jashtë rregullave fetare dhe se nuk është çështje e rëndësishme, duke kërkuar që të mos humbet kohë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, gjykatësja tha se nuk e sheh të domosdoshme që të akuzuarit të ngriten në këmbë dhe se të njëjtit do të ngriten kur t’iu lexohet aktakuza.
E gjithë kjo ndodhi pasi prokurorja speciale kërkoi që të konstatohet nga gjykatësja Violeta Namani se cilat janë arsyet e mosrespektimit të rregullave procedurale.
Gjykimi po vazhdon me deklarimin e të akuzuarve lidhur me akuzën.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë, më 4 gusht 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Lum Dervishit, Kenan Hasanit dhe Okan Hasanit, për sulm ndaj gazetarit Valon Syla.
Sipas njoftimit nga PSRK, thuhej se aktakuza është ngritur ndaj tre të pandehurve, pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit, të motivuar me ideologji ekstreme radikale islame përkatësisht të besimit fetar, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, gazetarit, Valon Syla.
“Me këto veprime të pandehurit L.D, K.H dhe O.H. në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’ nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.