Dosja e Prokurorisë për Ridin dhe zyrtarët e MINT: Përveç vajit dhe grurit, nuk erdhën as rreth 120 mijë kg sheqer – buxheti u dëmtua mbi 600 mijë euro

Pas arrestimit të dy zyrtarëve të lartë të MINT dhe një njeriu të afërt të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Ridvan Muharremin, në lidhje me aferën e vajit dhe gruri – ku 300 mijë euro janë paguar për vaj në Rezervën Shtetërore, mall ky i cili s’ka ardhur kurrë ndonëse paratë janë dhënë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka konstatuar se përveç procedurave të paligjshme të ndjekura gjatë blerjeve të rezervave shtetërore, janë evidentuar edhe shkelje të tjera, pasi mallrat e paguara nuk janë dorëzuar në territorin e Kosovës.

Sipas dokumentit të Prokurorisë, i publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, pavarësisht pagesave të kryera për grurë, vaj dhe sheqer te kompanitë turke dhe polake, nuk është realizuar asnjë furnizim i 200 mijë litrave vaj, 120 mijë kilogramëve sheqer dhe 52.5 tonëve grurë në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, malli që s’arriti kurrë në Kosovë kap vlerën e 600 mijë eurove.

Në dosjen e Prokurorisë, konstatohet që biznesmeni Ridvan Muharremi ka qenë figura kyçe në zhvillimin e negociatave me operatorë ekonomikë për blerjen e grurës, vajit dhe sheqerit.

Për çka dyshohet Ridvan Muahrremi?

Ridvan Muharremi, sipas akuzave të Prokurorisë, është akuzuar për ndihmën e tij në shkeljen e ligjit nga zyrtarët Irfan Lipovica dhe Haviz Gara. Ai akuzohet për krijuar kushte të kundërligjshme që të ndihmonte në negociatat e tyre me kompanitë turke dhe polake për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit.

Sipas akuzave të Prokurorisë, Muharremi kishte arritur të negocionte blerjen e 10 tonëve grurë nga Turqia, me një vlerë prej 4 milionë 834 mijë e 778 euro.

Muharremi, bazuar në akuza, del të jetë figura kyçe në të negociuarit e kushteve të kontratave me operatorët ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore.

Gjithashtu, Muharremi më parë kishte pasur marrëveshje kontraktuale dhe marrëdhënie biznesi me këto kompani.

“Dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal”, është vepra penale me të cilën ngarkohet i dyshuari Ridvan Muharremi.

Dyshimet ndaj Lipovicës

Irfan Lipovica, Zëvendësekretari i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, është i dyshuar tejkalimin e autorizimeve ligjore dhe kërkimin e anashkalimit të procedurave ligjore të prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore. Prokuroria ka dyshime se Lipovica mund të ketë kërkuar këtë anashkalim me qëllim të kufizimit të konkurrencës dhe për të fshehur shkeljen e ligjit.

Sipas informacioneve të Prokurorisë, në shkurt të vitit 2022, Qeveria ka marrë një vendim të bazuar në kërkesën e paligjshme të Lipovicës për të shkelur procedurat ligjore të prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Duke vepruar në kundërshtim me ligjin, Lipovica është i dyshuar për formimin e një Komisioni të paligjshëm për Negocimin e Kontratave për Furnizim me Mallra të Rezervave Shtetërore për vitin 2022.

Edhe pse ky komision ishte formuar në kundërshtim me ligjin, sipas Prokuroriasë Lipovica ka anashkaluar dy anëtarët e komisionit dhe ka përfshirë një person të dyshimtë, Ridvan Muharremi, si ndërmjetësues ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Operatorëve Ekonomikë nga Turqia për blerjen e grurit.

Sipas dosjes, pavarësisht se janë bërë pagesat e plota me operatorët ekonomik për grurin, vajin dhe sheqerin, në Kosovë është sjellë 52.5 tonë grurë më pak, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

Rezultati i këtyre veprimeve është një dëmtim i interesit publik me një shumë prej 601,940 euro, ka konstatuar Prokuroria.

“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria.

Dyshimet ndaj Garës

Pas Irfan Lipovicës, Zëvendësekretarit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, edhe Haviz Gara, Drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, është ngarkuar me akuzat për të njëjtën veprimtari të paligjshme.

Gara dyshohet për mosrespektim të procedurave të përcaktuara ligjore, përfshirë edhe anashkalimin e anëtarëve të komisionit të caktuar për këtë qëllim.

Me këtë veprim, sipas Prokurorisë, Ridvan Muharremit i është mundësuar që të luajë rolin e ndërmjetësit në mes të Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë në Turqi dhe Poloni për procesin e prokurimit.