Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që tre të arrestuarve dje për keqpërdorim të rezervave shtetërore të iu caktohet masa e paraburgimin për një muaj.
Bekim Kelani, avokati i Hafiz Garës, ka thënë për Nacionalen se do ta apelon këtë vendim të gjykatës.
“Është caktuar masa për 30 ditë paraburgim. Gjykata e ka lëshuar vendimin, por ende arsyetimin. Në gjithësi do ta apelojmë në shkalën e dytë. Gjatë seancës prokurori me asnjë provë nuk ka mundur ta vërtetoj se klienti im ka kryer vepër penale”, ka thënë ai.
Avokati tregon në detaje rolin e Ridvan Muharremit në aferën e vajit dhe grurit
Pas mbarimit të seancës dëgjimore lidhur me paraburgimin, avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, e ka treguar në detaje rolin që e ka pasur klienti i tij rreth vajit dhe grurit në rezerva shtetërore.
Halimi ka thënë se Ridi ishte kontaktuar direkt nga ministrja Rozeta Hajdari, në mënyrë që t’ua gjejë ndonjë vend ku të blejnë vaj e grurë.
“Për klientin tim, për cilin e di se Ridvan Muharremi s’ka pasur asnjë pozitë në ministri, është kyçur në baza vullnetare sepse në kohën relevante kur kanë ndodhur ngjarjet, ka qenë koha pas agresionit rus në Ukrainë, dhe ka pasur mungesë të artikujve ushqimorë. Dhe Ministria e di se është përpjekur për të siguruar të mira materiale, ushqime për rezervat e shtetit. Rezervat kanë qenë 0 mjete dhe 0 materiale. Përmes një miku të tij i cili është shumë i njohur, biznesmen në Turqi i cili ka punuar plot 2 vite në Prishtina Mall, z.Ridvan në restaurantin e tij ka krijuar raporte miqësore, dhe iu ka lutur a mundet. Pasi nga Ministria e kanë thirrur dhe e kanë lutur ti je biznesmen, na ndihmo nëse mundesh me gjet dikund grurë sepse nuk kemi”, ka thënë Halimi, raporton Nacionale.
Por, pse e kontaktoi direkt ministrja Ridin dhe cilin është raporti i tij me Kurtin?
“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E ka njohur si persona afarist, që ka traditë të gjatë, ka rreth të gjerë të miqve të vetë. Janë mysafir të cilët shkojnë në Restaurantin e tij. Ka një restaurant modest ku shërbehen ushqime tradicionale. Sjellje e shkëlqyer, pritje, nuk ka shkuar vetëm Kurti e ministrat. Por plot ambasadorë”, ka thënë Halimi.
Madje, sipas avokatit, Ridvan Muharremi ka bërë vepër heroike për popullin duke mos përfituar as edhe një cent.
Ai ka thënë se është parim ndërkombëtar që kur malli blehet në distanca të largëta, atëherë një sasi edhe mund të humb.
“Nuk ka dështuar ai besim. Gjithsesi. Njerëzit, Kosova është e vogël. Sikru njerëzit e sinqertë, sikur ata që janë të pasigurt edhe mashtrues. Ka ardhë gruri aq sa e ka porosit. E përmenda në Porto Romano, nuk dihet çka ka ndodhur atje, dhe si i kanë hekur bllombat. Kur është shtruar tema se po mungojnë 52 tonë të grurit, sipas standardeve është një sasi që pranohet si sasi e humbjes në përqindje. Një sasi që humb, ndodh gjatë udhëtimit grurit teret, dhe humb në peshë”, deklaroi Mahmut Halimi.
Halimi ka paralajmëruar se do të përballet në gjykatë edhe me gazetarin Berat Buzhala që i publikoi incizimet e aferës vaji dhe gruri.
Sipas Halimit, Turqia vetëm për hatër të Kosovës dhe Ridvan Muharremit e kishte hequr embargon për grurë, duke lejuar sjelljen e tij në Kosovë.
“Atje është matur sasia, kualiteti, parametrat të cilat janë të nevojshëm, është vu bllomba dhe zotëria, shitësi i mallit jo 10 mijë tonë, po 10 mijë e 6 tonelata. 6 tonelata i ka dhënë falas për Kosovën. E ka thirru Ridvani auditorin e shtetit turk, po të shteti, që e ka konstatuar gjendjen edhe për sasinë, edhe për kualitetin dhe të gjitha parametrat që është dashur, dhe është bllokuar malli dhe është nisur për destinacion në Kosovë, përmes portit të Durrësit”, deklaroi Halimi.
“Është kthyer drejt në Prishtinë, dhe ka njoftuar në Ministri se malli vjen në Portin eDurrësit, dhe duhet dikund me shku me ba kontrollimin sidomos në momentin e heqjes së bllombave. Këta e kanë angazhuar shpediterin e Kosovës, doganën e Kosovës, tash funksionon Dogana jonë në Durrës, dhe ato procedura janë kryer mes tyre, Ridvani këtu e ka kryer misionin. Në shpenzime të vetat”, deklaroi avokati i Ridvan Muharremit.
Nën dyshimin se kanë bërë keqpërdorime gjatë blerjeve të rezervave shtetërore, policia e Kosovës dje ka arrestuarit dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe biznesmenin Ridvan Muharremi, i cili është një mik i ngushtë i kryeministrit Albin Kurti.
Zyrtarët e arrestuar të MINT-it janë drejtori Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.