Pas arrestimeve në MINT, opozita kërkon shkarkimin e Rozeta Hajdarit: T’i hapet rrugë hetimit të lirë

Opozita ka reaguar ashpër pas arrestimeve të zyrtarëve të MINT-it dhe të afaristit Ridvan Muharremi, i cili njihet si mik i kryeministrit Albin Kurti.

Tri subjektet politike opozitare kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të shkarkohet Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Zyrtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se kjo duhet të bëhet për të mundësuar një hetim të plotë ndaj të arrestuarve, të cilët dyshohen për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Sekretari për Organizim dhe Zgjedhje në PDK, Betim Gjoshi, ka thënë se për këtë çështje duhet të hetohet edhe vetë ministrja Hajdari.

“Kryeministri Albin Kurti, urgjentisht, sot, menjëherë, duhet që ta shkarkojë nga detyra Ministren Hajdari, për t’i hapur rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht. Prandaj, shkarkim dhe hetim për ministren Hajdari, nën udhëheqjen e së cilës po vërtetohet, ashtu siç kemi denoncuar disa herë, se ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në vend”, ka thënë tutje Gjoshi.

Në një konferencë për media, Gjoshi ka bërë me dije se Ridvan Muharremi nuk është thjeshtë një sipërmarrës.

“Ridvan Muharremi është personi i cili në emër të Kryeministrit dhe me lejen e tij, përveç se është marrë me biznese të ndryshme, edhe të armëve, ka kërkuar edhe gjetjen e katër dëshmitarëve katolikë kundër krerëve të UÇK-së në Hagë. Ridvan Muharremi, miku i Kryeministrit, si person i autorizuar nga Rozeta Hajdari jashtëligjshëm sepse nuk i ka plotësuar kriteret, në emër të furnizimit me rezerva shtetërore, paratë e buxhetit të shtetit i ka dhënë ndërsa mallin nuk e ka marrë asnjëherë – duke i shkaktuar qindra mijëra euro dëme vendit”, ka thënë Gjoshi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar pas arrestimit të Ridvan Muharremit, pronar i lokalit “Bukë e zemër” dhe dy zyrtarëve të MINT.

Ai ka bërë me dije se këto arrestime tregojnë se Qeveria Kurti duhet të shkojë në shtëpi.

“Boll ma! Kjo qeveri duhet te shkarkohet, vendit i duhen zgjedhje. Qeverisja e Albinit identifikohet me korrupsion, afera, sanksione, deshtime…”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, shefi Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se Kurti qysh sot duhet ta shkarkojë ministren Hajdari.

“Arrestimet e sotme vijnë si rezultat i punës së mediave dhe policisë së Kosovës. Andaj, në funksion të mundësimit të një hetimi të plotë dhe ku Qeveria nuk shihet si pengesë, po sot do të duhej të kishim shkarkim të ministres, Hajdari. Fundja, i gjithë ky rast i abuzimit me mjete shtetërore dhe me ligjin, asocohet me emrin dhe nënshkrimin e saj, përderisa sekseri për këtë skandal korruptiv u lidh drejtpërdrejt me emrin e kryeministrit Kurtit”, ka shkruar Tahiri në profilin e saj në “Facebook”.

Dyshimet ndaj të arrestuarve

Prokuroria Speciale e Kosovës e sot ka treguar se Ridvan Muharremi, pronar i furrës së shndërruar në restorant “Bukë e Zemër” dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, janë arrestuar.

Në njoftimin e prokurorisë është treguar për veprat që dyshohet të arrestuarit.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L. Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’, si dhe ‘Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’.”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.

Më tej, është treguar edhe për provat që janë sekuestruar nga vendet e bastisura.

“Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore. Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.”, është thënë në njoftim.