Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jefrrey Hovenier, e ka pranuar se nganjëherë ka konsekuenca për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kur ky i fundit nuk i dëgjon këshillat e miqve ndërkombëtare, kur nuk koordinohet ose nuk bashkëpunon me ta, lidhur më siç tha, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Më duhet të them se herë pas here, ne i japim këshilla e sugjerime dhe provojmë të punojmë me të, për të bërë gjëra në mënyrë që të evitohen eskalimet ose problemet që mund të pengojnë punën që ne duam ta bëjmë së bashku në qëllimin strategjik të arritjes së zbatimit të plotë, nga të dyja palët, të Marrëveshjes së Ohrit”, tha Hovenier gjatë një takimi me gazetarë kosovarë, të mërkurën.
“Nganjëherë ka konsekuenca (pasoja) për të, kur nuk ka një asi niveli të koordinimit ose bashkëpunimit ose kur këshilla jonë, sipas perspektivës tonë, nuk është pranuar plotësisht ose kur nuk është vepruar sipas saj”, shtoi ai.
Hovenier tha se çështja se nga ku duhet të punojnë kryetarët e veriut, pra zyrat alternative, ka qenë ndër krye-temat për të cilën nuk janë pajtuar me Kurtin, me të cilin e pranoi se ka raporte të “situatave të përziera”, ku për disa rate patën bashkëpunim të ngushtë e shumë të mirë, e për tjera, dallime.
Megjithatë, amerikani tha se respekton të drejtën e kryeministrit për t’i bërë zgjedhjet e tij dhe për të përcaktuar atë që, siç tha, beson se është më e mira për vendin e tij.
Hovenier shtoi se Kurti është kryeministër i zgjedhur në mënyrë demokratike i një shteti demokratik.