Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh të dyshuarit të dytë, për sulmin ndaj ekipit të Nacionales të premten në Prizren.
Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës– Vjollca Buzhala, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 15.08.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 15.09.2023, ndaj të pandehurit E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Sulmi nga neni 184 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit.
“I pandehuri E.K., me datë 11 gusht 2023, rreth orës 14:00., në Prizren, në “Sheshin Shatërvan”, me dashje e sulmon të dëmtuarin V.K., – gazetar, në atë mënyrë që i bashkohet protestës së organizuar, dhe në momentin kur i dëmtuari V.K.,– gazetar gjatë kryerjes së punëve të tija zyrtare merr në intervistë protestuesit, i pandehuri e shtynë gazetarin, pastaj gazetari vazhdon ti intervistoj protestuesit e tjerë ku hasë në rezistencë të protestuesve, me të cilat veprime tek i dëmtuari shkaktojnë shqetësim. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Nëse i pandehuri e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit”, thuhet më tutje.
“Me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje dy (2) të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual, si rezultat i kësaj caktimi i masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin është i nevojshëm dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit, dhe për të siguruar prezencën e të pandehurit në procedurën hetimore”, përfundon komunikata.
I dyshuari me inicialet E.A ishte arrestuar me datën 16 gusht, disa ditë pas sulmit ndaj Nacionales në Prizren.
Kurse, i dyshuari tjetër është duke qëndruar në paraburgim.
Ndryshe, më 11 gusht 2023, ekipi i Gazetës Nacionale, gazetari Vullnet Krasniqi dhe kameramani, Arbër Latifi, janë sulmuar në protestën e organizuar kundër festivalit DokuFest në Prizren.
Ndërsa, lidhur me rastin, në po të njëjtën ditë u arrestua i dyshuari A.K dhe i njëjti u dërgua në mbajtje për 48 orë. Kurse, më 14 gusht 2023, Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit A.K.
Për këtë rast, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, të cilët kërkuan që autorët e sulmeve ndaj gazetarëve, të vihen para drejtësisë.
Ndryshe, Policia njoftoi të shtunën se është suspenduar një zyrtar policor, nën dyshimin se nuk reagoi në mënyrë profesionale me rastin e sulmit ndaj gazetarit Krasniqi.
“Pas vlerësimit dhe analizimit të të gjitha raporteve si dhe videoregjistrimeve gjatë protestës, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, pas konsultimin dhe sugjerimin nga IPK , me qëllimi të hetimit të pavarur të këtij rasti, me vendim ka suspenduar për 72 orë një Rreshter Policor nga Stacioni Policor Prizren”, thuhej në noftim.
Pas kësaj, situate në Prizren janë shfaqur edhe parulla për bojkot të Nacionales. Edhe për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke kërkuar veprim nga institucionet.
Gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi bashkë me kameramanin, Arbër Latifi janë sulmuar nga disa persona të premten në Prizren.
Gjatë një proteste që po mbahej në këtë qytet kundër Dokufest, Krasniqi dhe Latifi janë sulmuar nga disa protestues të cilëve iu pengonte puna e ekipit të Nacionales.
Për këtë rast, policia ka arrestuar personin që ka sulmuar ekipin e Nacionale.
Gjithashtu, më e rëndë se sulmi ishte edhe mosreagimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët ishin prezent në momentin e sulmit ndaj ekipit të Nacionales.
Ata nuk reaguan fare teksa për këtë gjë një rreshter i PK-së është suspenduar nga detyra për 72 orë.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren… Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.
Përveç AGK-së edhe gazetarë e opinionistë e politikanë të ndryshëm kanë dënuar sulmin ndaj ekipit të Nacionales.
Ndër disa reagimet, ishte edhe reagimi i kryetari të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili dënoi ashpër sulmin.