Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar statistikat e shkurorëzimeve në Kosovë për vitin 2021, sipas të dhënave administrative, vetëm për disa indikatorë kryesorë statistikorë.
“Në vitin 2021 janë regjistruar 2,160 shkurorëzime. Numri më i madh i shkurorëzimeve ka ndodhur në: Prizren (189 raste), ose 8.8%; Prishtinë (175 raste), ose 8.1%; Podujevë (141 raste), ose 6.5%, etj”, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Sipas kohëzgjatjes së martesës, dominon viti i dytë me 10.0%, viti i tretë me 9.0% dhe viti i katërt me 7.4% e të shkurorëzuarve.
“Shkurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë te femrat e moshës 25-29 vjeçare me 461 shkurorëzime, ose 21.3%; kurse tek meshkujt dominojnë te moshat 30-34 vjeç, me 489, ose 22.6%”, thuhet më tej në njoftim.
ASK vazhdon me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Shkurorëzime SHK-1, sikurse deri më tani.
Grumbullimi i të dhënave bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Për më shumë informata lidhur me Statistikat e Shkurorëzimeve në Kosovë për vitin 2021, vizitoni linkun. /Telegrafi/