Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovinier ka thënë se zgjedhjet e reja në katër komunat veriore në Kosovë, do të shtensiononin situatën.
Hovinier gjatë një bisede me një grup gazetarësh në Prishtinë, ka thënë se mënyra se si do të mundësohen mbajtja e zgjedhjeve në veri të Kosovës është çështje e brendshme e tyre.
“Çështja se si do të mbahen zgjedhjet në veri është çështje e brendshme për Kosovën. Se a bëhet kjo bëhet përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave, ose nëse bëhet përmes një procesi ku votuesit nënshkruajnë peticion për t’i larguar kryetarët aktualë, janë pikëpamje të ndryshme se cila do të ishte më efikase. Ne jemi të interesuar vetëm të shohim procesin qe po ecën përpara.” – ka bërë të ditur Hovenier, përcjell Zëri i Amerikës.
Ai tutje ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve në veri të Kosovës është identifikuar nga Bashkimi Evropian si rrugë për shtensionimin e situatës, duke shtuar se me këtë vlerësim pajtohen edhe ShBA-të.
Ambasadori amerikan është shprehur i shqetësuara për situatën në veri të Kosovës dhe për këtë arsye është kërkuar nga Kosova dhe Serbia të marrin masa për të ulur tensionet.
“Ne duam të shmangim trazirat, kërcënimet për dhunë dhe gjëra të tjera të cilat pengojnë aftësinë tonë për të punuar me palët për t’u përqendruar në objektivat tona strategjike, që është zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit nga të dyja palët”, tha ai duke nënvizuar se dialogu është çelës për përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.”
“Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s, dy synime këto thelbësore që Shtetet e Bashkuara presin të ndodhin, pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimit Evropian.” – tha ai.
Hovenier ndër të tjera ka thënë se ndjehet shumë rehat me atë se çfarë është duke i kërkuar Qeverisë së Kosovës, pasi sipas tij përkujtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës është afatgjatë.
“Si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, jam shumë rehat me atë që po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të bëjë, atë që po kërkojmë nga populli i Kosovës. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim dhe shpresoj se është shumë e qartë, SHBA-ja ka një përkushtim të fortë afatgjatë ndaj popullit të Kosovës.” – tha ai.
Hovenier ka folur edhe për bashkëpunimin me Qeverinë Kurti, duke thënë se në disa pika janë pajtuar, ndërsa në disa të tjera jo, që sipas tij kanë pasojë pasi që janë veprime jashtë nivelit të bashkëpunimit.
“Kështu që do të thosha së është një situatë e përzier. Në disa çështje gëzojmë bashkëpunim shumë të ngushtë me qeverinë Kurti, dhe po bëjmë gjëra së bashku që shkojnë shumë mirë. Në disa pika tjera ne kemi pasur dallime. Dhe siç e kam thënë, unë e respektoj të drejtën e kryeministrit (Albin Kurti) për t’i marrë vendimet e tij dhe të përcaktojë çfarë ai beson se është më e mira për shtetin e tij, ai është kryeministri i zgjedhur në mënyrë demokratike, i një shteti demokratik.”
“Ndonjëherë ka pasoja për të (Albin Kurtin), kur nuk është niveli i bashkërendimit apo bashkëpunimit, apo kur këshilla jonë nga perspektiva jonë nuk merret parasysh apo nuk veprohet mbi të.” – tha ambasadori Hovenier.