Partia Socialdemokrate në Zvicër ka caktuar një panel diskutimi që do të mbahet në shtator në Cyrih e ku pritet që të flasë edhe kryeministri Albin Kurti. Kështu raportojnë mediat zvicerane Argauer Zeitung dhe Blick.
Kjo paraqitje e Kurtit po shihet si fushatë për Partinë Socialidemokrate atje në kuadër të zgjedhjeve që do të mbahen më 22 tetor për Këshillin Kombëtar.
Ndonëse një vizitë e tillë nuk është ende e konfirmuar, shefi i Qeverisë, në një intervistë të dhënë për të përditshmen zvicerane Blick, në janar të këtij viti, kishte paralajmëruar se po shqyrtohen mundësitë e një bashkëpunimi në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate të Zvicrës sidomos në fushata zgjedhore.
Përpos kësaj Kurti tregonte në po këtë intervistë se Cedric Wermuth-in, bashkëpresident i Partisë Socialdemokrate, e ka mik të afërt.
“Cedric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata”, kishte deklaruar Kurti.
Megjithatë partitë e tjera po e konsiderojnë si krejtësisht të gabuar përfshirjen e kryeminsitrit Albin Kurti në fushatën zgjedhore në Zvicër.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Popullore Zvicerane(SVP) dhe Këshilltari Kombëtar Peter Keller, në anën tjetër e ka cilësuar si “plotësisht të gabuar” paraqitjen e planifikuar të kryeministrit Kurti në një fushatë zgjedhore në Zvicër.
Ai ka thënë se Zvicra nuk duhet të ndërhyjë në fushatat zgjedhore të vendeve të tjera dhe vendet tjera nuk duhet të ndërhyjnë në fushatën zgjehdore të Zvicrës.
“Zvicra nuk duhet të ndërhyjë në fushatat zgjedhore të vendeve të huaja dhe vendet e huaja nuk duhet të ndërhyjnë në fushatën zgjedhore zvicerane”, ka deklaruar ndër të tjera ai.