Prej që Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për caktimin e tavanit të çmimeve për derivate, për katër pompa të derivateve Inspektorati i Tregut ka iniciuar procedura kundërvajtëse në gjykatat kompetene.
Kështu tha për Express kryeinspektorja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lebibe Haliti.
Haliti tha se këto katër raste janë në katër pompa të ndryshme: dy në Shtime dhe nga një në Prizren e Vushtrri.
“Inspektorati i MINT për katër raste ka iniciuar procedurat kundërvajtëse në gjykatat kompetente: Dy në Shtime, një në Vushtrri dhe një në Prizren”, deklaroi Haliti.
Ajo tha se këto pompa nuk i ka gjobitur vetë Inspektorati, pasi gjoba më e lartë që mund të shqiptojnë ata është në vlerë prej 1 mijë euro, ndërsa ligji e parasheh që gjoba duhet të jetë 2 deri në 6 mijë euro.
“Ligji e përcakton 2 mijë deri në 6 mijë euro, prandaj duhet të shkojmë përmes gjykatës, sepse inspektori mund të shqiptojë gjobë deri në 1 mijë euro”, tha Haliti.
Haliti i tha Expressit se inspektorët e tregut në nivel komunal janë duke vepruar nëpër komuna për të parë nëse po respektohet udhëzimi.
“Gjithashtu inspektorët e tregut në nivel komunal janë duke vepruar nëpër komuna dhe në rastet kur konstatohet mos respektim i udhëzimit, do të merren masa ndëshkuese”, u shpreh kryeinspektorja.
Sot kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i është drejtuar me një letër kryeministrit Kurti për vendimin e tavanit të çmimeve për derivate. Në këtë letër ai ka thënë se vendimi i Qeverisë i premtuar 12 cent për litër nuk është duke u zbatuar nga MINT.
“Ju njoftojmë edhe njëherë se Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjellur kompanitë e vogëla me pakicë buzë falimentimit. Ky vendim i Qeverisë i premtuar 12 cent për liter nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pikat me pakice janë furnizuar dje me cmimin 1.71 cent brenda territorit të Rep. së Kosovës, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cakton cmimin me 1.75 cent, ku sipas kësaj pikat e vogëla të karburantit nuk mund të mbijetojnë më 4 cent”, thuhet në letrën e Berjanit.
Sipas vendimit të MINT, çmimi i një litre naftë për sot është 1.73 euro, një litër benzinë është 1.67 euro ndërsa një litër gas është 0.78 euro. /Express