Brenda Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë në Laboratorin e Toksikologjisë, vazhdojnë të ruhen një pjesë e mostrave të aktivistit të ndjerë, Astrit Dehari.
Por, një pjesë e mostrave ende mungojnë që nga zhdukja e tyre në dhjetor të vitit të kaluar. Ende nuk janë gjetur mostrat e gjakut. Në lidhje me zhdukjen e këtyre mostrave ishin suspenduar katër zyrtarë të IML-së, e që pas dy muajsh ata u rikthyen në vendin e tyre të punës.
Por që nga ajo kohë, ende nuk është arrestuar asnjë person i dyshuar. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, thotë se të gjithë të intervistuarit janë në cilësinë e dëshmitarëve.
“Një pjesë e mostrave nuk janë gjetur vazhdojnë të mungojnë dhe në ndërkohë policia së bashku me autorizimin e prokurorisë ka kryer hetimet edhe në IML për momentin për momentit aq sa kemi informata hetimet janë duke vazhduar mirëpo nuk i kemi asnjë informatë se dikush është i dyshimtë me sa dimë ne të gjithë janë në cilësinë e dëshmitarit nuk ka asnjë person të dyshimtë”, tha për RTK Ditor Haliti u.d së Drejtorit të IML-së.
Haliti thotë se vazhdojnë të mungojnë mostrat e gjakut.
“Ende mungojnë mostrat e gjaku, janë gjetur vetëm mostrat e urinës dhe lukthit, është me rëndësi me thanë që ato mostra kanë qenë të ruajtura dhe janë shfrytëzua ma herët për analizat toksilogjike qoftë në Kosovë dhe jashtë Kosovës është dashur të jenë “, tha Ditor Haliti u.d së Drejtorit të IML-së.
Humbjen e mostrave të Deharit e kishte lajmëruar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhjetorin e kaluar.