Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane.
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në komunën e Junikut, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë së familjes Velijaj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit kanë hapur me forcë kasafortën e familjes, brenda së cilës ndodheshin një shumë e konsiderueshme e parave të gatshme, si dhe stoli ari.
Bazuar në dëshminë e pronarit të shtëpisë, hajnat kanë vjedhur rreth 70 mijë euro para cash, ndërsa stolitë kapin vlerën e rreth 20 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.