PDK-ja kërkon të nisin hetimet për aferën “Droga”

Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri ka kërkuar urgjentisht nga organet e rendit nisjen e hetimeve, pas arrestimit të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci.

Retkoceri, në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se është jashtëzakonisht shqetësuese që Mujeci është caktuar aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”, ndërkohë që sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri pikërisht me autobusë, raporton Klan Kosova.

“Besnik Mujeci nuk është vetëm një asamblist i Komunës së Prishtinës. Ditë më parë, pikërisht me insistimin e partisë së tij, ai është caktuar si aksionar në Ndërmarrjen Publike “Stacioni i Autobusëve”. Sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri me autobusë. Arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, aksionarit të Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve”, ngre dyshimet e bazuara se caktimi i tij në këtë pozitë të lartë si aksionar i kësaj ndërmarrje, nuk ka qenë aspak i rastësishëm.  Në të njëjtën kohë, i arrestuari, narko-trafikanti i Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, është miku më i afërt i Gëzim Sveçlës, shefit të asamblistëve të kësaj partie në Prishtinë. Për ju që nuk e dini, Gëzim Sveçla është djali i axhës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kjo nuk është e tëra: Ky lloj i drogës, i shpërndarë nga narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi. Pra, këta, e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë dhe Shqipëri”, shtoi ai.

PDK në Prishtinë ngre dyshimet se Besnik Mujeci mund të mos jetë i vetmi i përfshirë në këtë aferë të madhe të kontrabandës dhe shitjes së drogës.

“Pyetjet tona për organet e rendit janë të qarta: Ku e mori narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci këtë sasi të drogës? Sa herë deri më sot, duke shfrytëzuar kanalet zyrtare dhe pozitën institucionale në stacionin e autobusëve, ka kontrabanduar drogë për në Shqipëri? A është Shqipëria vendi i vetëm në të cilin ka trafikuar drogë Besnik Mujeci? A ka persona të tjerë nga radhët e kësaj partie të cilët janë të përfshirë në këtë aferë të madhe të drogës? Pse Besnik Mujeci nuk është arrestuar deri më sot në Kosovë? A ka pasur mbrojtje nga zyrtarë dhe institucione të tjera në vendin tonë?”, theksoi Retkoceri.

PDK në Prishtinë kërkon dorëheqjen e parevokueshme të asamblistit Besnik Mujeci, i cili sipas këtij subjekti politik, ka tradhtuar besimin qytetar dhe obligimin zyrtar.

“Zyrtarët e lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, në vend që të merren dhe të kontribuojnë për sigurinë në vend, ata po e dëmtojnë sigurinë në qytet dhe shtet, po shkatërrojnë të ardhmen e të rinjve tanë duke u shitur dhe shpërndarë substanca narkotike. Një gjë po del të jetë e qartë: Në Kosovë, besnikët e Vetëvendosjes nuk zihen kurrë, sepse pushteti i mbron. Ata tregtojnë lirshëm dhe rriten e bëhen dillerë të mëdhenj, si ky asamblist, saqë i kalojnë edhe kufijtë. Besoj, Besniku sot i ka bërë krenarë të gjithë Lëvizjen e tij, por jo edhe ata qytetarë të Prishtinës, të cilët, fatkeqësisht, ia kanë besuar votën! Prandaj, edhe një herë: Dorëheqje, hetim dhe llogaridhënie, nga i pari deri tek i fundit!”, theksoi Retkoceri.