Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se edhe në muajin korrik norma e inflacionit në vend ka vazhduar të zvogëlohet. Ai u thirr në shënimet e Agjenicsë së Statistikave të Kosovës dhe lavdëroi punën e Qeverisë së tij.
“Edhe në muajin korrik norma e inflacionit ka vazhduar ngadalësimin duke rënë në 2.4%, sipas shifrave të publikuara nga ASK këtë javë. Përkundër sfidave të vazhdueshme, në krahasim me vendet e rajonit Kosova qëndron më së miri”, tha Murati.
Por, opozita thotë se jeta për qytetarët e Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë më e shtrenjtë. Hykmete Bajrami nga LDK thotë se krahasuar me vitin e kaluar, çmimet kanë shënuar ngritje për 17%.
”Ka që dy vite, që për çmimet në vendin tonë nuk ja vlen as me debatu dhe as me polemizu, sepse qytetarët çmimet i shohin dhe i përjetojnë në baza ditore. Kurrë nuk ka qenë jeta me shtrenjtë se sot, produktet bazë asnjëherë nuk kanë pasur çmimet me të larta derisa pagat kanë ngelë pothuaj të njëjtat. Po sipas ASK-së norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2023 me muajin Korrik 2022 ishte 2,4 % por mos harroni se sipas të njëjtës, ASK norma vjetore e inflacionit e matur në muajin korrik 2022, me muajin korrik 2021, ishte 14.2%. Çka d.m.th. kjo? Kjo do të thotë se nëse i krahasojmë çmimet e korrikut të vitit 2023 me çmimet e korrikut të vitit 2022, ato janë me të larta për 17%. 14.2% (VII.2022) + 2.4% (VII.2023)+ (14.2 x 2.4) = 17%”, tha Bajrami.
Ish-Ministri i Financave, Haki Shatri, ka bërë me dije se nuk ka rënie të inflacionit, por rritja nuk e i përshtatet dinamikës së vitit të klauar.
”Rritja e infalcionit, jo rënia siç ka deklaruar z. Ministër, por rritja nuk është e dinamikës së vitit të kaluar, siç ka qenë 11.5 %, por rritja është 2.4%. Ta sqarojmë për qytetarët. Ka rritje në krahasim me vitin e kalauar, me korrikun e vitit të kaluar, 2.4%. E thjeshtë është, nuk është rënie. Mund të shpjegohet si rënie e rritjes, por është rritje. Dhe kjo rritje sipas statistikave del si rezultat i rritjes së çmimeve në grupin më të madh të produkteve të konsumit, siç janë ushqimi, etj. Ndërsa një zbritje e kanë pas çmimet e naftës dhe çmimet e transportit personal për shkak të zvogëlimit te çmimeve të naftës të cilat çmime nuk varen nga ne por varen nga berza e tregut të naftës në gjithë botën”, deklaroi Shatri.
Zana Beqiri nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se kjo rënie e inflacionit, nuk është ndonjë arritje e madhe pasi që sipas saj, ka një rënie vetëm në përqindjen e tij, krahasuar me vitin paraprak.
”Kjo është 2.4% përmbi atë 12% e vjetshit. Dmth nuk është se është një arritje e madhe, është mirë kur inflacioni është në masë të vogël dhe kontrollohet, mirëpo nuk do të thotë që një situatë e tillë është meritë e ekonomisë aë vendit. Nuk kemi rënie të infalcionit, kemi rënie të përqindjes së inflacionit krahasur me vitin e kaluar. Dmth mund të themi që ështe rënie e inflacionit. Kryesisht ngritje më të vogël ka pas pqr arsye se produktet bazë kanë qarkullu më lirshëm, pastaj është zvogëlu edhe kostoja e transportit e cila është bllokuar gjatë kohës së pamdemisë, pastaj është stabilizimi i energjisë elektrike edhe ajo ka sjell një zbritje të kostos”, tha Beqiri.
Nga një raport i Bankës Qendrore të Kosovës thuhej se në tremujorin e dytë të vitit 2022, inflacioni në Kosovë arriti nivelet më të larta që nga mesi i vitit 2008, i nxitur kryesisht nga rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të energjisë dhe ushqimit. Po ashtu, Banka Qendrore ka paraparë që inflacioni në vitin 2023 të jetë rreth 6.2 për qind./21Media