Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se zëvendësi i tij, Radoica Radomiroviq, për të cilin u raportua se ka qenë pjesë e Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës në Kosovë, është shumë i përkushtuar në punë dhe se ndjehet i dëshpëruar me kritikat e opozitës në lidhje me emërimin e tij.
Ai tha se ndjehet “i dëshpëruar” pasi tha se “disa prej nesh kanë investuar gjithçka në ndërtimin e institucioneve”.
“Nganjëherë unë vetë dhe bashkëpunëtorët e mi kam besuar më shumë në institucionet e Kosovës sesa ndoshta do kolegë të mi shqiptarë”, tha Rashiq.
“Konsideroj që një prej atyre personave që ka pasur bindje të tillë është edhe z. Radomireviq, i cili e ka treguar përditë, besoni që përditë. Ai këtë mëngjes ka qenë n:6:50, 10 në 7, në Komunën e Leposaviqit. Po bën gjithçka që riintegrimi i serbëve të ndodh”, tha ndër tjerash ministri në T7.
Për disa kritika të opozitës, ai tha se s’ka çfarë thotë tjetër, “përveç që është marre”.
“Mos t’i harrojmë kush ka qenë në pozitë me përfaqësuesit e Listës Serbe, kush e ka quajtur atë person si mikun e shpisë të tij. Bash kryeministri i asaj qeverie ka thënë që Radoiçiqin e ka mik të shtëpisë”, tha Rashiq, duke iu referuar ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
“E di që opozita ka të drejtë, e ka obligim të kritikojë. Vetëm se kritikat të jenë pak njerëzore”, tha ai.
Disa në opozitë, sipas Rashiqit, “janë për copëtim, shkëmbim territoresh, ndarje”.