Rreth 800 mijë euro ka shpenzuar Kosova vitin e kaluar për të paguar pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, organizatë të cilën gjatë trazirave të fundit në veri e klasifikuan si terroriste.
Serbët e sistemuar në institucione të Kosovës bazuar në marrëveshjen e Brukselit, po vazhdojnë të paguhen edhe pse nuk shkojnë në punë. 129 serbë të kësaj organizate, e cila është shpallur terroriste nga Qeveria, janë paguar për çdo muaj.
Opozita e konsideron skandaloze këtë situatë.
“Kjo është skandal në vetvete, paraqet fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie sepse punon me dy standarde. Në njërën anë deklaron që këta janë pjesëtarë ilegalë dhe ju takojnë organizatave terroriste dhe në anën tjetër i mbyll sytë, i paguan dhe nuk merr asnjë përgjegjësi ose për t’i larguar, ose për t’i ndëshkuar ata që nuk kanë vijueshmëri në punë ose për të qartësuar rolin e tyre dhe pozicionin e tyre në mënyrë të drejtpërdrejt nëse ka shkelje ligjore”, tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se qeveria duhet të dalë me sqarime
“Qeveria e Kosovës duhet të dalë me sqarime rreth kësaj çështje, përkatësisht se si ende po paguhen pjesëtarë të disa organizatave të cilat Qeveria i konsideron si organizata terroriste. Mirëpo, mënyra nëse e shohim se si janë shpallur këto organizata si organizata terroriste nga ana e Qeverisë së Kosovës lë shumë për të dëshiruar. Kjo për shkak se në secilin rast kur shpallet një organizatë terroriste, çështjet duhet të jenë të bazuara në fakte dhe në prova, përkatësisht duhet të tregohet se si operon një organizatë e caktuar, në cilat territore, cila është struktura e saj, kush është në krye të strukturës së saj. Dhe nuk mund që një organizatë të shpallet pa u bazuar në fakte dhe prova si organizatë terroriste. Ku duhet të ketë një procedurë të mbështetjes së vendimit duke përfshirë koordinimin edhe me partnerët ndërkombëtarë”, tha Gëzim Shala, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Qeveria duhet t’i pastrojë këto lista sepse ndër ta ka edhe pjesëtarë që vazhdojnë të jenë edhe në ‘Mbrojtjen Civile’, të kryejnë detyra edhe tash të dorëhequr nga Policia e Kosovës apo eventualisht në shërbimet e emergjencave… Kjo është dashur të verifikohet nga Qeveria e Kosovës qysh me kohë, tash është alarmi sidomos që këto dy organizata, edhe ‘Mbrojtja Civile’ edhe ‘Brigada e Veriut’ që janë shpallur si organizata terroriste. Tash domosdoshmërisht duhet të verifikohen këto lista, se mos eventualisht dikush prej tyre vazhdon të jetë anëtarë i këtyre dy organizatave”, tha eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Pagesat e këtyre punonjësve bëhen në kuadër të marrëveshjes Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel në vitin 2013, ku qëllimi ishte për integrimin e pjesëtarëve të komunitetet jo-shumicë.