Deputeti i VV-së: VV: Radomiroviq s’ka qenë në luftë, zgjedhjet në veri vetëm përmes peticionit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë se zgjedhjet në veri të Kosovës mund të organizohen vetëm përmes peticionit.

Sipas tij, kjo është forma e vetme legale që qytetarët e komunitetit serb në katër komunat veriore mund të dëshmojnë mospranimin e kryetarëve aktualë dhe diferencimin nga bandat kriminale atje.

Rexhaj ka kërkuar nga Bashkimi Evropian largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa i quan edhe të pabaza kritikat e opozitës karshi ekzekutivit.

“Ne kemi thënë përherë nëse realisht ka mospranim nga qytetarët serbë për kryetarët aktualë këtë duhet ta bëjnë në formë legale, jo përmes bandave kriminale që jo vetëm protestonin por aktet e tyre ishin akte barbare, prandaj dy prej tyre i shpallëm terroristë. Kryetarët atje dëshirojnë ta vazhdojë punën, pasi janë zgjedh me vota të qytetarëve, përkundër që janë solide e kanë legjitimitetin të udhëheqin. Nuk është dëshirë e kryetarëve të largohen nga pozicionet ku janë. Nëse kanë dëshirë serbët lokalë atje që t’i kenë kryetarët e tyre të marrin pjesë në zgjedhje, mund të organizohen përmes peticionit të cilin ne e kemi pranuar”, thotë Rexhaj.

Deputeti i mazhorancës është optimist se letra e deputetëve perëndimorë, ku kërkohet qasje më e ashpër ndaj Serbisë, do të ndikojë te faktori vendimmarrës në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kursi i faktorit ndërkombëtar deri tani ka qenë presioni ndaj Kosovës, kryesisht në dy rrafshe, për të hequr policinë në veri dhe për ta vazhduar çështjen e Asociacionin. Realisht kur ne kemi pasur një diskurs tjetër në raport me këto dy tema, presioni kryesisht ka ngelur në Kosovë. Mendoj se edhe faktori ndërkombëtar e ka parë se ne nuk jemi kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe as faktorëve të tjerë relevantë ndërkombëtarë, por e kemi për shkak të shtrimit të sovranitetit dhe ligjshmërisë gjithandej vendit dhe në veçanti në veri. Kjo qasje e këtyre ka bërë që të kemi një hap pozitiv, natyrisht unë e vlerësoj si çështje të mirë dhe besoj se kjo do të ndikojë se faktori ndërkombëtar do të shoh se çfarë po bënë Serbia”, deklaron ai.

Megjithatë, Rexhaj kritikon qasjen e deritashme të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës, pasi sipas tij, të njëjtit po sillen sikur të ishin padron të Kosovës.

“Qasja e ndërkombëtarëve karshi Kosovës ka qenë qasje e padrejtë. Mua më lejohet pasi jam deputet dhe kam të drejtë t’i shpreh mendimet e mija në formë të lirë, qasje të padronit. Ne nuk kemi padron, ne jemi Republikë e Kosovës, e pavarur, sigurisht me ndihmën e ShBA-së dhe NATO-s, pa të cilat liria nuk do të ishte fituar. Mirëpo, në relacion në veriun dhe Asociacionin ne kemi bërë të qartë konsistencën tonë. Ne edhe kur kemi qenë në opozitë, kemi qenë opozitë radikale, sigurisht duke përdorur të gjitha mjetet demokratike për ta ndalur këtë gjë. Natyrisht unë çuditem se si kanë pritur nga ne ta tolerojmë korrupsionin, krimin e organizuar atje dhe Serbinë brenda Kosovës”, thekson ai.

Duke u kundërpërgjigjur kritikave të opozitës se pushteti po bashkëpunon me Listën Serbe, deputeti Rexhaj thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi faktet në teren flasin tjetër gjë.

Sipas tij, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila natyrisht e ka obligim të diskutojë edhe me përfaqësues të minoriteteve në parlament për ligje dhe çështje të tjera të Kuvendit.

“Çdo bashkëpunim i yni me Listën Serbe, kur faktet në teren flasin ndryshe, janë gënjeshtra të cilat mund të dalin në pah nga opozita. Është një lloj propagande për të treguar se edhe Lëvizja Vetëvendosje është si PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja dhe se nuk përbënë ndonjë ndryshim. Mimoza Kusari në cilësinë e shefes së Grupit Parlamentar natyrisht se ka diskutuar për ligje, tema dhe çështje të caktuara dhe natyrisht ka dashur t’iu marr votën. Mirëpo ne nuk kemi pasur bashkëpunime përtej kësaj, bashkëpunimi i vetëm ka qenë brenda Kuvendit”, shton Rexhaj.

Rexhaj flet edhe për raportimet se zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, ka qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës, por që të cilën ai e mohon.

“Sa i përket emërimeve ju e dini se në pikën e përplasjeve Kosovë-Serbi, kushdo që bashkëpunon me institucionet dhe LVV-në, sidomos në komunat në veri, Serbia ka shantazhuar qytetarët atje, duke djegur edhe veturat dhe shtëpitë. Në këtë rast paramendo kur dikush nga ata vjen si drejtor ata e shpallin edhe si tradhtar. Në fakt vet zëvendësministri nga komuniteti serb doli dhe shpjegoi se nuk ka qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës. Unë personalisht jam marrë me këto çështje dhe më interesojnë kriminelët e luftës, kam bërë hulumtime dhe emri i tij nuk figuron në pjesën e krimeve të luftës. Prokuroria Speciale tani ka filluar ndjekjen ndaj kriminelëve të luftës dhe sikur të ishte i tillë ai do të arrestohej”, përfundon Rexhaj./KP