Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde është sqaruar pasi ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti dha një lajm se Gjermania ka njohur licensat e avokatëve kosovarë.
Rohde e ka bërë të qartë se për të praktikuar ligjin gjerman, avokatët kosovarë duhet të kenë një diplomë përkatëse dhe se ky kusht, mbetet për përfaqësimin e klientëve në gjykatat gjermane.
Rohde përmes një shkrimi në Twitter, ka deklaruar se përditësimi i fundit, pra ajo që ambasadori Ajeti e paraqiti si “njohje” të avokatëve kosovarë, ka të bëjë vetëm me aktivitetet jashtëgjyqësor, pra jo me procedura gjyqësore.
“Sqarim për shkrimin tim më poshtë: Përderisa avokatëve kosovarë u lejohet që të punojnë në Gjermani, praktikimi i ligjit gjerman bën të nevojshme një diplomë përkatëse. Ky kusht mbetet për përfaqësim të klientëve në gjykata gjermane. Përditësimi lidhet vetëm me aktivitetet ekstrakurrikulare të avokatëve, duke i përjashtuar procedurat gjyqësore.” –ka shkruar ambasadori gjemran.
Çka u raportua dje?
Pikërisht gjatë ditës së djeshme, Nacionale bisedoi me Durim Berishën, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se ambasadori ka krijuar një përceptim të gabuar.
“Ambasadori i Kosovës në Berlin po krijon perceptim të gabuar në lidhje me ndryshimin e Rregullorës për regjistrimin e avokatëve te huaj në Odat e Avokatëve në Gjermani.
Me ndryshimin e këtij akti nënligjor është formalizuar një fakt që ka qenë i mundshëm edhe më herët. Fitimi i të drejtës për të ofruar konsulencë për të drejten kosovare apo ndërkombëtare.” – ka thënë ai.
Berisha tutje na tha se kjo, në asnjë mënyrë nuk nënkupton njohje të licensës së avokatit të Kosovës me atë gjermane.
“Mirëpo në asnjë mënyrë kjo nuk nënkupton njohje apo barazvlerësim të licencës së avokatit të Kosovës me atë gjermane. Ky regjistrim nuk lejon ushtrimin e profesionit te avokatit dhe ofrimin e sherbimeve juridike për te drejtën gjermane. Njohja e kualifikimeve profesionale për më tepër është kompetencë e landeve, pra jo e nivelit federal. Prandaj të gjitha ligjet e landeve përcaktojnë se si profesione të “reglementuara”, profesionet juridike kanë parakusht përfundimin e suksesshëm të provimeve shtetërore të jurisprudencës. Juristët kosovarë duhet të përsërisin studimet në Gjermani dhe t’i nënshtrohen dy provimeve shtetërore te jurisprudencës, në mënyrë që të kenë te drejten e ushtrimit të profesioneve juridike dhe ofrimin e shërbimeve juridike për të drejtën gjermane. Ligjet e landeve parashohin se në rast të përsëritjes së studimeve në Gjermani, universitetet mund t’i njohin një kandidati deri në pesë semestra te studimeve, nga nëntë sa janë në Gjermani.” – shtoi ai.