Ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas një fjalimi që Kryeministri Albin Kurti e ka mbajtur në Tetovë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti – që i bëri në një tubim elektoral në Maqedoni të Veriut.
Haradinaj ka thënë se Kurti ka bllokuar të gjitha projektet që lidhin Kosovën me vendet fqinje.
“Mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës. Pasi nuk mund t’i gënjej më kosovarët, paska ardh të ju mashtrojë ju, për rrugën Tetovë – Prizren. Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë. As ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj në Facebook.
Më herët, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në dy komunat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Tetovë e Çair, ka folur kryesisht për projektet infrastrukturore që do t’i lidhin Tetovën e Prizrenin. Për këtë rrugë, Kurti bëri thirrje që të intensifikohen punimet.
“Nuk është kosto e lartë, ndërkaq përfitimi është i jashtëzakonshëm. Andaj vonesat për këtë aks infrastrukturor janë të paarsyeshme dhe janë të dëmshme e unë po kërkoj ndihmën e gjithë juve dhe secilit prej ju që jeni këtu e që po na ndjekin, tash ose më vonë, që bashkërisht të mobilizohemi e të aktivizohemi që të mos humbet asnjë ditë pa punuar për këtë aks rrugor që lidh Prizrenin dhe Tetovën”, tha ndër të tjera ai.