Ministria e Turizmit e Shqipërisë, ka bërë të ditur se gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti mbi 5.1 milionë vizitorë vizituan vendin.
Sipas ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, vetëm gjatë muajit korrik, Shqipërinë e vizituan mbi 1.7 milionë turistë të huaj.
“Vetëm për korrikun, 1.7 milionë vizitorë të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, ose 26% më shumë krahasuar me një vit më parë. Që prej fillimit të vitit 2023, kemi pritur 5.1 milionë vizitorë të huaj, ose 31% më shumë se viti 2022, të cilët vijnë me kuriozitetin e madh për të zbuluar diversitetin e destinacioneve turistike dhe largohen me premtimin për t’u rikthyer sërish”, tha ajo.
Tutje, bëhet e ditur se përveç turistëve nga Kosova, të cilët e mbajnë vendin e parë, gjatë 7 muajve, turistë të shumtë kanë qenë nga Spanja, ku numri i tyre është dyfishuar.
Rritje prej 142 për qind kanë pasur edhe vizitorët nga Turqia, 62 për qind nga Mali i Zi, 58 për qind më shumë nga Franca, kurse 53 për qind nga Italia, krahasuar me vitin që shkoi.
Kurse, 153 për qind ka pasur rritje të vizitorëve nga Ukraina, ndërsa 152 për qind më shumë nga Kina gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022.