“Hallall i qoftë Kosovës gjaku im”: Fjalët e fundit të komandant Abesë, sipas ish-bashkëluftëtarit të tij

Bekim Berisha, i njohur gjatë luftës me nofkën Abeja, është një nga figurat më emblematike të Kosovës, i cili ra dëshmor gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në Klan Kosova, ish-bashkëluftëtari i tij, Astrit Huskaj, ka rrëfyer për betejën e Junikut, ku ra dëshmor Abeja.

“Faktikisht ai fillimisht ka qenë i plagosur. Ma kanë sjellë se unë kam qenë në spitalin ushtarak në Junik, e kam kryer rolin doktorit ushtarak pasi që i gjithë stafi mjekësor në spitalin ushtarak në Junik ishin larguar. Abenë e kanë sjellë të plagosur, por ishte në minutat e fundit sepse s’ka jetuar as 15-20 minuta maksimumi pas ardhjes në spital, së bashku me Eltonin dhe Përmetin, të tretë kanë ardhur të plagosur… I pari ka vdekur Abeja, më pas ka Përmeti e Eltoni, dhe i fundit ka vdekur Bediru, edhe pse ishte i pari i plagosuri aty.” – tha ai.

Tutje, Huskaj ka treguar edhe fjalët e fundit të Abesë.

“Abeja vetëm një amanet e thoshte: ‘Ju lutem mos e lëshoni frontin, Hallall i qoftë Kosovës gjaku im’, këto kanë qenë disa nga artikulimet e tij në minutat e fundit”, shprehet Huskaj.