Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, i ka reaguar Bashkimit Evropian që përmes zëdhënësit të saj, Petër Stano, ka deklaruar se ”Kosova nuk ka pasur sjellje evropiane”, duke iu referuar situatës së muajve të kaluar në Veri.
BE-ja ka vendosur edhe masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të asaj situate.
”Respektimi i ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit, nuk qenka sjellje evropiane e si e tillë qenka ndëshkuar nga BE. Më lejoni të listoj një varg sjelljesh “evropiane” të Serbisë, të cilat kanë kaluar pa ndëshkim nga ana e BE-së”, ka thënë Muja përmes një postimi në Facebook.
Më pas ai ka bërë një kronologji të situatës duke listuar siç thotë ai “sjelljet e BE-së ndaj Serbisë që mbaruan pa ndëshkim”, duke i reaguar në këtë mënyrë BE-së.
Pikat e përmendura nga Muja drejtuar BE-së:
– Dhjetëra baza ushtarake në kufi me Kosovën
– Rritja e gjendjes së gatishmërisë së ushtrisë disa herë brenda viteve të fundit
– Fluturimi i Mig-ave në kufirin me Kosovën
– Mosbashkëpunimi në zgjidhjen e çështjes së targave, ku pas 6 muajsh negociata Serbia nuk zgjedh asnjë nga opsionet e BE-së
– Mungesa e bashkëpunimit e zbatimit nga Serbia e udhërrëfyesit të marrëveshjes së energjisë
– Kërcënimet dhe kriza e shkaktuar në fund korrik 2022
– Kërcënimi e shantazhimi, djegia e veturave të serbëve të Kosovës për të mos lejuar regjistrimin e targave legale
– Prodhimi i targave ilegale, edhe pas dakordimit të nëntorit 2022
– Urdhëri për braktisje të institucioneve në nëntor 2022 të serbëve të Kosovës, që solli në dorëheqjen e kryetarëve
– Ngritja e barrikadave dhe organizimi i grupeve kriminale në komunat në veri
– Nxitja përsëri e mospjesëmarrjes në zgjedhje
– Dhuna dhe sulmet ndaj Kfor-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve
– Rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë
– Refuzimi i nënshkrimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit
– Shkelja e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit
Një sjellje tjetër tejet “evropiane” e Serbisë, është edhe mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë dënimit të agresionit të këtyre të fundit ndaj Ukrainës.
Ky reagim i Stanos, qartazi është dëshmi, fakt e konfirmim i brengës së 56 nënshkruesve të letrës së dërguar.