K.R.U “Hidrodrini” në Pejë po bën diskriminim ndaj banorëve të disa fshatrave të komunës së Pejës me vendimin e ri për reduktimet e ujit, ndërkaq jo të gjitha fshatrave po ju ndalon ujin.
Asamblisti i AAK-së në Pejë, Naim Bytyqi ka thënë për KosovaPress se në fshatin Gorazhdevc i banuar me serbë nuk është duke u respektua fare vendimi për ndalim të ujit.
“Në Gorazhdevc ka ujë për fontana, ka ujë për ujitjen e oborreve, ndërsa në fshatrat tjera nuk ka asnjë pik ujë, nga ora 17:00–05:00”, theksoi ai.
Sipas tij, pa ujë kanë mbetur: Dardania-3, Orashë, Poçestë, Millovanc, Vragoc, Babiq, Krestovc, Qyshk, Zahaq, Llabjan, Nakell, Pavlan, Nabergjan, Trestenik, Treboviq, Lutugllav, Ramun, Bllagaj, Ruhot, Leshan, Kliqin, si dhe Sferk.
“Në këto fshatra ka shumë pleq të semurë, ka shumë bashkatdhetarë që kanë ardhur në vendlindje, dhe ujë ju duhet tash ma shumë se kurrë”, thotë ai.
Bytyqi ka thënë se do ta ndjek këtë çështje deri sa të ketë barazi për të gjithë.
Çuditërisht, sipas tij, K.R.U “Hidrodrini” në Pejë pas publikimit të vendimit në rrjetin social zyrtar e ka hequr nga faqja zyrtare.