Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano, në konferencën e sotme për media ka thënë se masat ndaj Qeverisë së Kosovës janë futur për shkak të pamundësisë së saj për të “filluar të sillen në mënyrë evropiane dhe për të deeskaluar situatën”, dhe se qasja e BE-së është e balancuar.
“Ajo që kemi bërë së fundmi në dritën e përshkallëzimit të fundit është vendosja e masave ndaj Qeverisë së Kosovës për shkak të pamundësisë së saj për të filluar të sillet në mënyrë evropiane dhe për të de-përshkallëzuar situatën, për të ndërmarrë hapa drejt deeskalimit”, tha Stano.
Ai tha se masat do të futen edhe në Serbi nëse anëtarët e BE-së konstatojnë se Serbia nuk bën asgjë në drejtim të deeskalimit.
“Nëse 27 shtetet anëtare konstatojnë se Serbia nuk po bën asgjë në drejtim të deeskalimit, atëherë do të vendosim masat e nevojshme edhe ndaj Serbisë. Qasja jonë është e balancuar. Natyrisht, të gjitha masat janë të kthyeshme dhe varen nga mënyra se si do të sillen partnerët në kontekstin e de-përshkallëzimit dhe progresit drejt rikthimit në procesin normal të zhvillimit të dialogut”, tha Stano.
Siç theksoi ai, BE-ja është duke koordinuar dhe konsultuar për këtë çështje me partnerët ndërkombëtarë, kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Stano ka përsëritur se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka marrë një letër të përbashkët nga 56 deputetë nga disa vende dhe se si gjithmonë do të përgjigjet përmes kanaleve adekuate dhe jo përmes mediave.