Gjatë ditës së djeshme, avokati Dejan Vasiq që mbron të dyshuarin për krime lufte Dragisha Millenkoviq, pati thënë se do ta ftojnë kryeministrin Albin Kurti për të dëshmuar pro tij. Ai sot ka thënë se tashmë kanë bërë kërkesë në Qeveri.
Sipas avokatit, Millenkoviqi kishte qenë gardian i burgut në kohën kur ishte arrestuar dhe paraburgosur kryeministri aktual i Kosovës që mban emrin Albin dhe mbiemrin Kurti.
Ai pretendon se Kurti ka pasur marrëdhënie të mira me të, dhe se mund të dëshmojë për karakterin e tij.
“…jemi marrë vesh, gjegjësisht jemi koordinuar për dëgjimin e dëshmitarit special të mbrojtjes, kryeministrit aktual të Kosovës, z. Albin Kurti, i cili ishte paraburgosur në kohën kur i dyshuari Dragisha ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë.” – u shpreh z. Vasiq, raportonte Danas.
Ai shtoi se “nga ana e tij (Kurti), duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual dhe i paraburgosuri i atëhershëm Albin Kurti, të cilit i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin e ka kaluar një kohë në biseda,”
Sot, Vasiqi për Kosovo-Online ka thënë se tashmë e kanë dorëzuar kërkesën në Qeverinë e Kosovës për të dëshmuar Kurti.
“Kërkesës për dëgjimin e dëshmitarëve në Prokurorinë Speciale ia kam bashkangjitur aplikacionin që e kam bërë në zyren e Qeverisë,” – u shpreh ai duke thënë se pret përgjigje pozitive.
Millenkoviqi u arrestua më 21 qershor në fshatin e tij, Kishnicë. Ai dyshohet për krime kundër popullatës civile nga viti 1998 deri më 1999.
Kurti, ashtu si edhe shumë të burgosur tjerë të asaj kohe, ishin përballur me tortura të tmerrshme nga gardianë të ndryshëm të burgut.