Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në një lokal në Runik të Skenderajt, ku një person mbeti i vrarë dhe tre të tjerë u lënduan. Persona të maskuar e të armatosur e qëlluan për vdekje N.L., 39 vjeçar, si dhe plagosën tre të tjerë.
Kjo është vrasja e tretë brenda një jave në lokale.
E tre të plagosur në këtë ngjarje të rendë aktualisht janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Zëdhënësja e QKUK-së, Mirlindja Qyqalla për Gazetën Express tha se njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë ndërsa dy tjerët janë jashtë rrezikut për jetë.
“Nga Qendra Emergjente e QKUK-së jemi njoftuar që tre presona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, të lënduar me armë zjarri. Sipas ekipit mjekësor, aktualisht, njëri nga të lënduarit është në gjendje pak më të rënduar, ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Qyqalla.
Ndryshe, njëri nga të plagosurit 32 vjeçar (1991) pasi është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik, ku pas lëndimeve të rënda i është amputuar një pjesë e këmbës.
N.L., 39-vjeçar dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri në një kafiteri në Runik të Skenderajt, ndërsa të plagosur mbetën edhe tre persona tjerë të cilët u dërguan për t’u mjekuar në QKUK në Prishtinë.
Zëdhënësi I Policisë për Rajonin e Mitrovicës ka konfirmuar për Express, se persona të armatosur e të maskuar kanë hyrë në një kafiteri në një lokal në Runik të Skenderajt, e ku kanë shtënë me armë në drejtim të viktimave.
Lidhur me rastin është deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.
Ai tha se prokurorja e rastit së bashku me njësitet tjera relavante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”.
Preteni tha se deri më tani autorët nuk dihen dhe të njëjtit kanë hyrë të maskuar në lokal.
“Prokurorja e rastit ka dalë në vendin ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Deri më tani dyshohet se dy persona të maskuar kanë hy në lokal kanë shti me armë zjarri, një person ka mbetur i vrarë dhe tre të plagosur. Prokurorja e ka iniciuar rastin si “vrasje e rëndë”. Nuk dihen autorët deri më tani”, tha Preteni për Gazetën Express.
Policia ka konfirmuar se të shtënat me armë zjarri ndodhën rreth orës 01:21.
Në vendin e ngjarjes u gjetën gëzhoja plumbash.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, informoi policia.
Policia tha se po punon për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, tha policia.
Me urdhër të prokurores trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.