Pak mbi 1 mijë euro ka shpenzuar mesatarisht një anëtar i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti brenda muajit në harkun kohor të një viti.
Në të dhënat që ka siguruar KOHA shpalosen detaje të shpenzimit të mbi 220 mijë eurove nga kryeministri e stafi i tij. Vetë Kurti nuk e ka shpenzuar asnjë cent për mëditje. Mijëra euro brenda një viti janë shpenzuar edhe nga Presidenca dhe nga Zyra e Kryekuvendarit
221 mijë e 187 euro është shuma që kryeministri Albin Kurti e 17 anëtarë të stafit politik të tij kanë shpenzuar për një vit.
Bazuar në të dhënat e siguruara përmes qasjes në dokumente publike, nga Zyra e Kryeministrit njoftuan se nga kjo shumë 91 mijë e 980 euro janë shpenzuar për dreka e darka të kabinetit të kryeministrit.
Në periudhën 1 qershor 2022 – 31 maj 2023, Kurti ka shpenzuar 23 mijë e 130 euro për bileta e 9 mijë e 800 euro për akomodim. Derisa 111 euro janë prezantuar në kategorinë “shpenzime të tjera”.
Gjatë kësaj periudhe Kurti nuk ka marrë asnjë mëditje, derisa stafi i tij politik buxhetit i ka kushtuar 19 mijë e 822 euro për këtë kategori shpenzimesh.
Në listën e stafit politik të kryeministrit përfshihet shefi i stafit, këshilltarët politikë, asistentët e kryeministrit, zyrtarët e protokollit e fotografi i Kurtit.
Për këta anëtarë të kabinetit, 50 mijë e 518 euro janë paguar për bileta, derisa për akomodim 23 mijë e 395 euro.
Për periudhën e njëjtë, nga Zyra e Presidentes kanë njoftuar se janë shpenzuar 154 mijë e 197 euro.
Sipas të dhënave të ofruara, në këtë shumë përfshihen shpenzimet e stafit prej 70 zyrtarëve publikë.
Më së shumti të holla janë shpenzuar për bileta apo 56 mijë e 472 euro, pasojnë mëditjet – 47 mijë e 391 euro, derisa për akomodim gjatë udhëtimeve jashtë vendit janë shpenzuar 46 mijë e 275 euro.
Në kategorinë e reprezentacionit si shpenzime paraqiten 4 mijë e 57 euro.
Të dhëna më të përgjithshme janë nga Zyra e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Sipas tyre, për periudhën qershor 2022 – prill 2023 për bileta të shtatë zyrtarëve janë paguar 12 mijë e 688 euro.
Si shpenzime nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit janë paraqitur edhe të bufesë. Sipas të dhënave, nga qershori i vitit të shkuar deri në mars të këtij viti janë shpenzuar 1648 euro.