Ministria ua heqë certifikatën edhe 2 bizneseve të Blerim Devollit, “Vitaland” dhe “Devolli Group”

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ua ka shfuqizuar certifikatat e edhe 15 bizneseve të tjera. Në mesin e tyre janë edhe “Devolli Group”, “Vitaland” dhe “GLOBOSOS SH.P.K”, që janë në pronësi të Blerim Devollit.

Biznesi “Vitaland” është i regjistruar në emër të vajzës së tij, Jona Devolli. Blerim Devolli ka hise edhe në biznesin “The Bussines Club”, të cilit i është shfuqizuar certifikata poashtu.

Sipas njoftimit të MINT, “shoqëritë tregtare gjatë regjistrimit të tyre kanë dorëzuar dokumente me përmbajtje në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.”

“Këto 15 shoqëri tregtare, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Pec, Republika Srbija“; “Pec, SRB“; “Gnjilane, Srbija”; “Pristina, Srbija”; “Djakovica, Republika Srbija,”; “Kosovska Mitrovica, Republika Srbija” etj”, thuhet në njoftim.

Ministria ka paralajmëruar se “shfuqizimi i certifikatave të shoqërive tregtare, që janë identifikuar me shkelje të njëjta apo të ngjashme, do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.” /Reporteri