Ymeri për dorëheqjen e Mehajt: Kushdo që vjen jashtë rrethit të VV-së, e ka të vështirë me qenë i lirë

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka komentuar dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj.

Ai thotë se ministrat që nuk janë nga rrethi i ngushtë i Lëvizjes Vetëvendosje e kanë të vështirë të qeverisin me dikasterin e tyre.

Ymeri për Front Online, ka thënë se Mehaj ka lënë detyrën zyrtare për shkak të përjashtimit të FSK-së nga “Europe Defender 2023”.

Ai tha se do të vepronte njësoj si ish-ministri i Mbrojtjes.

“Po duket që secili njeri që vjen nga jashtë, në kuptimin jo nga jashtë Kosovës, por nga jashtë rrethit të ngushtë të Lëvizjes Vetëvendosje po e ka të vështirë për me qenë i lirë në punën e vet dhe në qeverisjen e dikastereve të cilët u janë besuar”, është shprehur ai.

“Mospajtimi i Mehajt me atë se çka po i bëhet Kosovës, veçanërisht FSK-së, e posaçërisht për përjashtimin e FSK-së nga “Defender Europe 2023”, është për mendimin tim mospajtim edhe i duhur, edhe konceptual edhe politik dhe për këtë natyrisht që ka dhënë dorëheqje dhe kisha dhënë edhe unë dorëheqje sepse çka i ka ndodhë FSK-së, me masat për të cilat Kurti nuk është brengos fare duke marrë parasysh edhe sanksionet që mund t’i vijnë Kosovës mendoj që është arsye e mjaftueshme për t’u larguar”, ka thënë Ymeri.