Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën pas përfundimit të seancës fillestare, i akuzuari Reshat Sadiku u afrua pranë deputetit Avdullah Hoti dhe i kërkoi falje për kanosjen që ia kishte bërë në rrjetin social “Facebook”.
“Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.
I njëjti tha se nuk është person që bën të tilla veprime.
“Kam kontribu shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha i akuzuari.
Ndërsa, edhe deputeti Hoti i tha se ai është i pari që e ka sjellë në gjykatore.
“Ti ke qenë i pari që më ke sjellë këtu, kurrë s’kam qenë këtu”, tha Hoti.
I akuzuari sërish i kërkoi falje, duke i thënë se qëllimi i tij nuk ka qenë të bënte dëm diçka, raporton Betimi për Drejtësi.