Politologu austriak Florian Bieber e ka shkruar një opinion të titulluar “Akti i inskenuar balancues i Beogradit” ku e akuzon Serbinë për mashtrim sa i përket pozicionit të saj në arenën ndërkombëtare, dhe veçanërisht në lidhje me agresionin rus në Ukrainë. Çka thuhet tjetër?
Profesori që merret aktivisht me rritjen e autoritarizmit në Ballkanin Perëndimor e denoncon regjimin e Vuçiqit pikërisht për autoritarizëm derisa nënkupton se ambivalenca aktuale gjeopolitike e Serbisë i shërben vetëm kësaj agjende të tij.
Fillimisht, ai e nis shkrimin e tij duke pretenduar që Serbia e ka pasur mundësinë që të heqë dorë nga ambivalenca në fjalë duke u rreshtuar në mënyrë të qartë me Perëndimin. Por, Vuçiqi nuk e bëri.
“Politika e jashtme kontradiktore e Serbisë ka përfshirë dënimin e agresionit rus dhe shitjen e armëve për Ukrainën derisa nuk vinte sanksione kundër Rusisë.” – ilustron z. Bieber në fjalët e tij.
Sipas tij, mundësia që Serbia të pozicionohej qartë ishte e madhe pas 24 shkurtit 2022. Ai shprehet i bindur se përpjekjet e Perëndimit që ta bëjnë Serbinë të mos rreshtohet krejtësisht me Lindjen (Rusinë e Kinën) nuk do të japin rezultat shkaku që është vetë regjimi i Vuçiqit që fton ndikimin e tyre në vendin e tij.
Bieber pretendon megjithatë se ambivalenca gjeopolitike e Serbisë nuk është thjesht pjesëë e politikës së jashtme të regjimit të Vuçiqit, por diçka e ngulitur më thellë së brendshmi.