Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Qeveria Kurti ka bërë manovaq dhe se këto u dëshmuan me kosto të lartë për shtetin.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se Kosova është në pikën për të cilën LDK-ja kishte thënë se do të jetë pas vendosjes së masave nga Bashkimi Evropian.
“Masat e BE-së vazhdojnë të rëndojnë mbi shtetitn, derisa ekzekutivi vazhdon kërkesat për heqjen e tyre, pasi nisi zmbrapsjen nga veprimet e pakoordinuara. Madje edhe tani, paralelisht me tërheqjen e vonuar, krerët e qeverisë në mënyrë të papjekur vendosin “kushtëzime”. Komplet qesharake”.
“Ky pushtet duhet të mbahet përgjegjës që e futi vendin në një udhëkryq të rrezikshëm duke ndërmarrë veprime të njëanshme. Derisa asnjë dobi nuk pati nga kjo sjellje e këtij ekzekutivi praktikantësh, sot erdhën në pikën që iu kemi thënë. Veçse sot me barrën e sanksioneve”, ka shkruar Azemi.