Seanca dëgjimore për të dyshuarit në rastin e krimit të rëndë që ndodhi në kafeterinë Bon Vivant, tashmë ka përfunduar.
Të dyshuarit që janë kapur nga Policia kanë dalë para gjyqtarit, teksa i dyshuari tjetër Dukagjin Nikollaj, akoma s’është kapur.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Pajazitit tashmë i është caktuar masa e paraburgimit, por që i njëjti do t’i nënshtrohet edhe një operacioni dhe më pas do të dërgohet në njërën nga qendrat korrektuese.
Përleshja e armatosur në lokalin ‘Bon Vivant’ që rezultoi me vrasjen e 39-vjeçarit, Kastriot Ramadani, teksa mbetën të lënduar e të plagosur edhe 17 persona të tjerë, tronditi kryeqytetin natën e 4 gushtit.
Pas tentimit për ta shpëtuar 39-vjeçarin i cili nuk mundi t’i përballojë plagët ku si pasojë dhe vdiq pak orë pas të shtënave, mjekët në Klinikën e Ortopedisë në QKUK janë duke trajtuar akoma një vajzë dhe dy djem, nga gjithsej pesë pacientë që po trajtoheshin në këtë klinikë.
Të dyshuar për ngjarjen tragjike përveç Pajazitit, janë edhe Hysni Geci dhe Gzim Zakuti.