Sanksionet janë të fuqishme kur Shtetet e Bashkuara i vendosin vetë, por ato bëhen edhe më të fuqishme kur iu bashkohen të tjerët, sikurse Bashkimi Evropian apo Mbretëria e Bashkuar.
Kështu tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, John Smith, ish-drejtor i Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) të Departamentit amerikan të Thesarit, kur komentoi sanksionet e fundit të vendosura nga ky institucion ndaj zyrtarëve në entitetin e Republikës Sërpska.
Smith ka punuar në OFAC për më shumë se 11 vjet dhe nga shkurti i viti 2015 deri në prill të vitit 2018 ka mbajtur postin e drejtorit.
Ai aktualisht gjendet në Uashington dhe është një nga avokatët kryesorë për çështjet e sigurisë në firmën ligjore “Morrison & Foerster”.
REL bisedoi me Smith pasi OFAC njoftoi për sanksionimin e katër zyrtarëve të lartë të Republikës Sërpska, përfshirë edhe të anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviq.
Radio Evropa e Lirë: A nënkuptojnë sanksionet ndaj aktorëve kryesorë në udhëheqjen e Republikës Sërpska dhe presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik – që veçse është nën sanksione të Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) – izolim të mëtejmë të këtij entiteti dhe a e përjashtojnë atë plotësisht marrë parasysh se kryeministri, presidenti dhe kryetari i Asamblesë së Republikës Sërpska tani janë nën sanksione?
John Smith: E saktë. Mendoj se Qeveria amerikane po tenton të japë një mesazh të qartë se është e shqetësuar lidhur me lëvizjen e udhëheqjes së Republikës Sërpska dhe po tenton që të shfaqë shqetësimet e saj.
Për të qenë të qartë, megjithatë kjo nuk nënkupton se vetë juridiksioni është i shkëputur nga SHBA-ja, por do të thotë se udhëheqësit janë sanksionuar dhe SHBA-ja nuk do të lejojë më asnjë bashkëveprim midis këtyre individëve dhe Shteteve të Bashkuara.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë nënkupton kjo për Bosnje e Hercegovinën, pasi veçse një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të nivelit të lartë të shtetit janë sanksionuar? Këto sanksione a shënjestrojnë vetëm individët dhe jo institucionet në çfarëdo forme?
John Smith: Disi janë të dyja. Ligjërisht, është kjo e fundit. Ligjërisht nëse sanksionet janë ndaj një individi, ato mund të prekin vetëm atë individë dhe gjithçka që ata kanë në pronësi, mbi 50 për qind e më shumë. Jo institucionet që mund të shihen se janë nën kontrollin e ligjit amerikan. Sanksionet prekin vetëm gjërat që të sanksionuarit kanë në pronësi.
Kjo është përgjigja në aspektin ligjor. Por, përgjigja praktike është se këto sanksione sigurisht që kanë ndikim më të gjerë se vetëm ndaj individëve të sanksionuar.
Kjo do të thotë se çdo kompani amerikane, çdo bankë amerikane, dhe realisht çdo kompani e sofistikuar botërore, bankë dhe entitet do të mendohet dy herë para se të punojë me këta individë të lartë që shihen nga SHBA-ja si persona që kanë dalë nga shinat dhe që janë sanksionuar.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni që në rastin e Bosnjës, këto sanksione ndaj politikanëve të caktuar do të ishin më efektive nëse, për shembull, Bashkimi Evropian do t’iu bashkohej sanksioneve, veçanërisht sa i përket Millorad Dodikut, i cili është kritikuar nga anëtarët e Parlamentit Evropian dhe ekspertë nga rajoni?
John Smith: Sanksionet gjithmonë kanë më shumë ndikim kur më shumë juridiksione i vendosin ato.
Pra, kur SHBA-ja e vetme vendos sanksione, ato janë të fuqishme sepse ekonomia e SHBA-së dhe Qeveria amerikane shihen si të fuqishme në mbarë botën. Por, sanksionet kanë më shumë ndikim dhe janë më efektive kur më shumë juridiksione u bashkohen atyre.
Prandaj, përgjigja sigurisht është se nëse BE-ja, Mbretëria e Bashkuar apo të tjerët do t’iu bashkoheshin gamës së plotë të sanksioneve, ato do të kishin më shumë ndikim, veçanërisht nga BE-ja, marrë parasysh lidhjen e ngushtë gjeografike midis BE-së dhe Bosnje e Hercegovinës.
Radio Evropa e Lirë: Ekziston përshtypja se shumë individë apo organizata nga shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në listën e sanksioneve, dhe nëse flasim për numra, si mund të krahasohet Ballkani me pjesë të tjera të botës? Ku qëndron Bosnja në atë listë? Sigurisht, kanë kaluar disa vite që ju keni punuar drejtpërdrejt me OFAC-un, por si radhitet rajoni i Ballkanit në këto lista sanksionesh?
John Smith: Ka dy mënyra se si do t’i përgjigjem kësaj. Njëra mënyrë është se Ballkani është një juridiksion dhe rajon relativisht i vogël, në aspektin e numrave. Nuk ka numër të lartë në krahasim me juridiksionet e tjera.
Thënë këtë, nëse shikoni tërësinë, fakti është se mund të ketë mijëra entitete që janë sanksionuar gjatë viteve në programin e Rusisë apo për shumë e shumë vite në programin e Iranit. Kjo mori kohë, por këto juridiksione duhet theksuar se janë jashtëzakonisht më të mëdha.
Prandaj, shqetësimet e SHBA-së janë serioze sepse bazuar në madhësinë e rajonit, ky është numër i madh i veprimeve gjatë viteve të fundit.
Radio Evropa e Lirë: Le t’i kthehemi sërish Bosnje e Hercegovinës apo më mirë thënë mënyrës se si funksionon OFAC-u. A u lejohet përfaqësuesve diplomatikë të SHBA-së në shtet, në këtë rast në Bosnje e Hercegovinë, dhe zyrtarëve të tjerë të Qeverisë amerikane, sikurse Gabriel Escobar, që së fundi ka vizituar Bosnjën shpesh, të kenë kontakt dhe të negociojnë me personat që janë nën sanksione. Dhe a mundet SHBA-ja të marrë pjesë financiarisht në projekte të trupave qeverisës që udhëhiqen nga personat që janë nën sanksione, sepse praktikisht e gjithë udhëheqja e Republika Sërpskës është nën sanksione, por me sa dimë ne, projektet amerikane po vazhdojnë.
John Smith: Përgjigja është jo, përveçse se – dhe kjo është një përveçse e madhe – Qeveria amerikane i ka autorizuar këto aktivitete. Pra, shumë programe të sanksioneve, në përgjithësisht në të gjitha programet e sanksioneve, kur sanksionoheni ju shkëputeni nga SHBA-ja dhe kjo do të thotë se shtetasit amerikanë dhe ata që kanë qëndrim të përhershëm, edhe nëse jetojnë jashtë SHBA-së, nuk lejohen të punojnë me personat e sanksionuar.
Ekonomia amerikane, Qeveria amerikane në përgjithësi nuk mund të bashkëpunojë me të sanksionuarit.
Por, Qeveria amerikane mund të bëjë përjashtime, qoftë përmes atyre që i quan licenca të përgjithshme apo licenca specifike, kur Qeveria pranon se do të ishte në interesin e sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme të SHBA-së të lejojë vazhdimin e disa bashkëpunimeve, shpesh ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë dhe të tjerëve, dhe SHBA-ja këto i lejon.
Por, ata nuk kanë një rregull për të gjitha programet e sanksioneve dhe nganjëherë kjo është informacion publik, e nganjëherë jo. Prandaj, ne duhet ta shohim çdo program ndryshe dhe ndonjëherë ne mund ta dimë përgjigjen e plotë dhe ndonjëherë jo.
Radio Evropa e Lirë: Për këta shembuj specifikë, kush e jep autorizimin, Departamenti amerikan i Shtetit apo dikush në këtë departament.
John Smith: Kjo përgjegjësi i përket Zyrës për Kontrollin e Asteve të Huaja në Departamentin e Thesarit. Kjo zyre zbaton sanksionet, por ky vendim merret në konsultim me Departamentin e Shtetit. Praktikisht, Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit duhet të pajtohen për qëllimin e autorizimit dhe kur duhet të hyjë në fuqi.
Radio Evropa e Lirë: Po flasim për autorizimin, për shembull, të një ambasadori për të negociuar diçka me Millorad Dodikun apo dikë tjetër, nëse ju kuptuam saktë?
John Smith: E saktë. Pra, në përgjithësi Qeveria amerikane, edhe kur dëshiron të vendosë sanksione, nuk do që t’ia lidhin duart vetes. Pra, përderisa Departamenti i Shtetit ndonjëherë mund të mbështesë sanksione shtesë, ky departament ka shumë gjasa të mbështesë edhe aftësinë e tij për të vazhduar bashkëveprimin, ku e sheh të nevojshëm.
Për këto çështje Departamenti i Shtetit punon me OFAC-un për të vazhduar diskutimet për gjëra të tilla.
Nuk ka ndonjë licencë specifike që është krijuar në atë program e që është bërë publike, por sigurisht që ka autorizime që janë jopublike, të cilat lejojnë Departamentin e Shtetit të ketë funksione shtesë, kur vlerësohen të nevojshme.
Radio Evropa e Lirë: Sipas informacioneve publike, SHBA-ja aktualisht ka sanksionuar 23 shtete në mbarë botën, dhe disa nga këto sanksione datojnë që nga viti 1996. Ju keni qenë në OFAC për një kohë të gjatë. A mund të na thoni se a kanë qenë të suksesshme këto sanksione?
John Smith: Sanksionet, sipas meje, kanë një sërë shkallësh të suksesit. Mund t’i shihni, shembull, sanksionet ndaj Iranit. Njerëzit mund të kenë pikëpamje të ndryshme sesa të suksesshme ishin ato sanksione. Në përgjithësi, sanksionet marrin një kohë të konsiderueshme, dhe shpesh shihen si dështim derisa japin rezultate.
Për shembull, sanksionet ndaj Iranit gjerësisht janë parë si dështim për të bindur Iranin që të heqë dorë nga krijimi i armëve bërthamore, deri në kohën kur u treguan të suksesshme dhe detyruan Iranin të ulej në tavolinën e bisedimeve dhe të negocionte për programin e tij të armëve bërthamore. Por, sërish, më pas presidenti [i atëhershëm amerikan, Donald] Trump u tërhoq nga marrëveshja me Iranin.
Mund të shihni edhe sanksionet ndaj Burmës apo Mianmarit. Ato u panë si të suksesshme për të bindur Qeverinë ushtarake për të ndarë pushtetin dhe për të lejuar ardhjen në pushtet të Qeverisë demokratike.
Më pas, sigurisht, Qeveria ushtarake rrëzoi nga pushteti atë demokratike dhe sërish mori pushtetin. Pra, sanksionet shpesh mund të çojnë deri te ndryshimet, por për shkak se bota mund të jetë shumë katoike, ju mund t’i shihni ndikimet nga sanksionet që kanë pasur sukses pas një kohe dhe ato mund të japin zgjidhje që mund të funksionojnë në terma afatgjatë.
Sanksionet kundër aparteidit në Afrikën e Jugut në përgjithësi janë parë si të suksesshme. Aparteidi më nuk ekziston. Por, për sanksionet dhe rrethanat e tjera që përmenda, ne ende po presim që në terma afatgjatë të shohim nëse kanë funksionuar ose Qeveria apo regjimi vazhdon të tentojë të vazhdojë në mënyrën e vetë dhe të minojë paqen dhe sigurinë e atij rajoni.
Radio Evropa e Lirë: Le të kalojmë disa dekada nga aparteidi dhe të kthehemi në situatën aktuale që po ndodh në Rusi dhe Ukrainë. Sa të suksesshme janë sanksionet e vendosura nga SHBA-ja ndaj Rusisë, organizatave dhe individëve nga ky shtet, që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës? A është bashkëpunimi me BE-në në këtë rast krucial që sanksionet të jenë të efektshme, marrë parasysh afërsinë gjeografike?
John Smith: Përgjigja është se ato janë të suksesshme dhe nuk janë të suksesshme. Më lejoni t’ua shpjegoj se çfarë dua të them. Nëse shikoni në aspektin afatgjatë, ju do të thoni se presidenti [rus Vladimir,] Putin dhe Rusia ende po vazhdojnë luftën në Ukrainë, lufta po vazhdon dhe Putin është zotuar se do të vazhdojë. Pra, në këtë kuptim sanksionet kanë dështuar që ta ndalin presidentin Putin që të heqë dorë nga sjellja e tij destruktive ndaj Ukrainë.
Mendoj se pa sanksione, përshtypja është që rusët do të kishin qindra miliarda dollarë më shumë për t’i shpenzuar në përpjekjet e tyre të luftës dhe Ukraina veçse mund të kishte kapitulluar deri më tani.
Thjesht, Rusia do të kishte të gjithë teknologjinë dhe burimet e nevojshme për ta polarizuar Ukrainën. Prandaj mendoj se sanksionet po vlerësohet se kanë parandaluar qasjen e Rusisë në burime të rëndësishme, në kuptim të parave, teknologjisë dhe të mirave materiale të nevojshme dhe shërbimeve dhe e kanë bërë Rusinë më të izoluar.
E keni parë presidentin Putin duke tentuar që të angazhohet në diplomaci me juridiksione të tjera, dhe keni parë që më pak liderë dhe shtete kanë vullnet që publikisht ta përkrahin atë. Prandaj, sanksionet nuk kanë qenë të suksesshme që ta ndalin sjelljen e tij, por mendoj se sanksionet shihen si mjet që kanë dobësuar Rusinë dhe aftësinë e saj për të zhvilluar luftë.
Por, kjo është përgjigja në kuptimin afatgjatë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në atë luftë. Mendoj se në fund të fundit me gjasë do të varet se si ne e shohim të ardhmen suksesin e këtyre sanksioneve.
Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi te Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja. Zbatimi i sanksioneve a është në diskrecionin e kësaj zyreje? Apo ka edhe degë të tjera të Qeverisë që përfshihen, duke sugjeruar se kush duhet të sanksionet, për shembull zyrtarët e Departamentit të Shtetit që janë më të përfshirë në rajon?
John Smith: Sanksionet asnjëherë nuk zbatohen vetëm nën diskrecionin e Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja. Në përgjithësi, sanksionet janë një vendim i Qeverisë si tërësi. Pra, me të gjitha programet e sanksioneve, OFAC lejohet të veprojë vetëm në konsultim me Departamentin e Shtetit.
“Në konsultim” është një praktikë që nënkupton se OFAC nuk mund të zbatojë sanksionet pa pajtimin e Departamentit të Shtetit. Përgjithësisht, kjo shkon përtej Departamentit të Shtetit dhe OFAC-ut. Në përgjithësi, sanksionet zbatohen pasi Këshilli i Sigurisë Kombëtare, një proces i udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë ku të gjitha agjencitë kryesore qeveritare mblidhen rreth një tavoline dhe vendosin se çfarë veprimesh duhet të ndërmerren.
OFAC-u përcakton nëse ka nivel të duhur të provave për të mbështetur sanksionet dhe më pas për këtë gjë duhet të pajtohen avokatët e Departamentit të Drejtësisë. Sërish, kjo bëhet nga Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit. Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja i lëshon dhe zbaton sanksionet, por vendimi është diçka që përfshin të gjithë Qeverinë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të bëjnë zyrtarët e sanksionuar që të largohen nga lista e sanksioneve dhe a rishikohet në mënyrë periodike lista e sanksioneve?
John Smith: Në përgjithësi janë tri mënyra se si emrat mund të hiqen nga lista e sanksioneve.
E para, çdo individ mund të sfidojë futjen e tyre nën sanksione në një gjykatë federale në SHBA dhe të tentojë të bindë gjykatën se OFAC-u nuk ka pasur nivel të duhur të dëshmive për të vendosur sanksione.
Kjo rrugë zakonisht nuk funksionon kurrë sepse OFAC ka përvojë dekadëshe në vendosjen e këtyre sanksioneve, nën një proces strikt dhe shumë rigoroz, që rishikohet edhe nga Këshilli i Thesarit dhe ai i Departamentit të Thesarit dhe më pas ky rishikim merr miratimin nga Departamenti i Shtetit. Pra, deri në atë pikë, në përgjithësi, dëshmitë janë gjithmonë të mjaftueshme dhe OFAC-u fiton rastet gjyqësore.
Mënyra e dytë është se nëse jeni i sanksionuar ju mund të shkoni menjëherë te OFAC-u dhe të thoni, “në rregull, ju më keni sanksionuar për këtë aktivitet, unë pajtohem që të ndaloj të mos e ushtroj këtë aktivitet. Dhe kjo është ajo që pajtohem se do të bëj dhe do të demonstroj, me prova, se pse duhet të më besoni se do të ndryshoj sjelljen time”.
Çdo vit, qindra njerëz largohen nga lista për shkak të zotimit se do të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe më pas paraqesin dëshmi se e kanë ndryshuar atë. Prandaj, nëse keni qenë duke mbështetur trafikimin e drogës, shkeljet e të drejtave të njeriut, apo keni minuar demokracinë, praktikisht ju duhet të demonstroni se si do ta ndryshoni sjelljen tuaj.
Nganjëherë njerëzit hiqen nga listat. Rrallë ndodh që kjo funksionon me regjimet sepse politikanët dhe zyrtarët e tjerë që kanë poste politike, ndonjëherë kërkojnë ta ndryshojnë sjelljen. Por, kjo është një mënyrë.
Dhe më pas mënyra e tretë që emrat mund të hiqen është nëse programet e sanksioneve evolojnë, nëse SHBA-ja vendos që më nuk ka nevojë të vendosë sanksione, në lidhje me Ballkanin Perëndimor, apo Bosnje e Hercegovinën apo çfarëdo juridiksioni tjetër.
Pas kësaj, SHBA-ja thjesht mund t’i japë fund programit të sanksioneve. Dhe nëse vetë programi përfundon, atëherë çdo emër që ka qenë në listën e atij programi, në përgjithësi largohen menjëherë.