Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, pas uljes së mëtejshme të prezencës së policisë në dhe rreth objekteve komunale.
Sipas ekzekutivit, ata mbeten të përkushtuar për deeskalim të situatës në veri dhe këtë e dëshmon edhe implementimi i marrëveshjes së Bratisllavës. Mirëpo, partitë opozitare dhe analistët politikë thonë se Kosova vazhdon të jetë nën masa për shkak të qasjes së gabuar të kryeministrit Albin Kurti.
Nga zyra e zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit në dialog, Besnik Bislimi, thonë se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe si të tilla duhet hequr.
“Në vazhdimësi e kemi theksuar qe masat ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe që tashmë duhen hequr. Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë dhe mbetet e përkushtuar për deeskalim, të cilën e dëshmoi dhe marrëveshja ne Bratislavë dhe implementimi në hapat e saj nga ana e Kosovës”, thotë Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Por, kritik ndaj Qeverisë është anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, i cili thotë për KosovaPress se Kosova vazhdon të jetë e ndëshkuar nga Bashkimi Evropian për shkak të politikës së gabuar të kryeministrit Albin Kurti në dialog dhe në veri.
“Me këtë tërheqje nga veriu, pyetja themelore duhet të jetë se çka përfitoi Kosova, përveç se morëm sanksione për herë të parë në histori të Kosovës. Këto sanksione për fat të keq po e dëmtojnë Kosovën, pasi e arritura më e madhe e Kosovës në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian ka qenë nënshkrimi i MSA-së si hapi i parë në këtë rrugë drejt BE-së. Tash kjo marrëveshje është suspenduar me sanksione të BE-së bashkë me miliarda euro të tjera fonde që janë për Ballkanin Perëndimor, në të cilat Kosova është përjashtuar. Çfarë përfituam përveç se po na mbesin sanksionet ende me këtë politikë të gabuar të Kurtit në dialog dhe veri”, thotë Tahiri.
Në anën tjetër, analisti politik, Albinot Maloku shprehet për KosovaPress se përkundër hapave për depërshkallëzimin e situatës në veri, nuk ka asnjë lëvizje në lidhje me largimin e masave ndëshkuese.
Kohë më parë, në një takim me gazetarë, zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se nuk mendon që duhen shpallur zgjedhjet e reja në veri pa u hequr masat ndëshkuese. Këtë e ka përsëritur më pas edhe kryeministri Albin Kurti. Këto deklarata janë intepretuar si kushtëzim ndaj BE-së.
Analisti Maloku është skeptik se të plotësohën kërkesat e Qeverisë. Sipas tij, masat do të largohen pas shpalljes së zgjedhjeve të reja dhe depërshkallëzimit të plotë të situatës në komunat veriore.
“Veç ardhja në situatën kur kemi sanksione nga faktori ndërkombëtar, konkretisht Bashkimi Evropiani është njëri prej treguesve të dështimit të Qeverisë aktuale. Mirëpo, në anën tjetër, pas marrëveshjes së Bratislavës ka pasur hapa të ndërmarrë, që përveç tregues si vullnet i mirë Qeverisë së Kosovës për depërshkallëzimin e situatës në veri, faktori ndërkombëtar gjithmonë na ka kujtuar se i përshëndesin hapat, por nuk janë të kënaqur. Për pasojë jemi në situatën që nuk kemi ende tërheqje të sanksioneve. Konsideroj se me Bashkimin Evropian nuk mund të shkojmë me kapacitetet”, deklaron ai.
Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos marrjes së veprimeve për shtensionimin e situatës në veri. Këto masa kanë hyrë në fuqi më 28 qershor, derisa përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.
Bashkimi Evropian ka kërkuar përkushtim më të madh nga pala kosovare për zbatimin e kërkesave për shtensionimin e plotë të situatës në veri, ku përfshihet edhe shpallja e zgjedhjeve në veri./Kosovapress/.