E dhimbshme: Kjo është gruaja që vdiq në aksidentin mes dy veturave në Rahovec

Pas disa orësh trajtim në Spitalin Rajonal në Gjakovë, njëra ndër pasagjeret që u lëndua në aksidentin që ndodhi dje në fshatin Bërnjak të Rahovecit, ka ndërruar jetë. E ndjera, nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe vdiq përkundër trajtimit të mjekëve.

Burimet brenda spitalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Azbije Mazrekun, 65-vjeçare, e cila ndodhej në veturën, shoferi i së cilës shkaktoi aksidentin, duke u përplasur me një veturë tjetër.

Sinjali mëson se për vdekjen e saj është njoftuar edhe Policia, me ç’rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të tërhiqet për t’u dërguar në IML për obduksion.

Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të lënduar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë pësuar plagë të rënda dhe tashmë po trajtohen në QKUK.

Ndërsa shoferi i dyshuar është arrestuar dhe ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshhuar urdhër për ndalim policor.